Një aksident i rëndë ka ndodhur të martën në mbrëmje në Nju Jork, ku dy automjete u përplasën me shpejtësi të lartë dhe përfunduan mbi një ndërtesë, ndërsa një këmbësor i shpëtoi për mrekulli goditjes. Ngjarja ndodhi në zonën Bedford-Stuyvesant të Bruklinit.
Pamjet e një kamere sigurie tregojnë momentin dramatik kur një 20-vjeçar, i veshur me kostum blu, po ecte në Rrugën Fulton dhe në sekondën e fundit devijoi, duke shmangur përplasjen me automjetet që dolën jashtë kontrollit. Sipas policisë, një Cadillac i zi dhe një BMW dyshohet se kaluan me semafor të kuq përpara se të përplaseshin dhe më pas të godisnin ndërtesën.
Si pasojë e aksidentit, të dy drejtuesit e mjeteve dhe këmbësori mbetën të plagosur, por ndodhen në gjendje të qëndrueshme në spital.
Sipas New York Post, shoferi 56-vjeçar i Cadillac-it, Anthony Hayes, është arrestuar dhe përballet me akuza për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, shkaktim të lëndimeve trupore me automjet, rezistencë ndaj arrestimit, rrezikim nga pakujdesia dhe shkelje të tjera të rënda të qarkullimit rrugor.
