“Americana” pushton “Skënderbeun” me harmoninë e tingujve festivë

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Koncerti “Americana” i Filharmonisë së Kosovës nuk ka qenë thjesht vetëm përmbyllje e sezonit. Qendra e Prishtinës u bë sallë koncertale nën qiell të hapur, ku muzika simfonike është përzier me zhurmën e qytetit.

Nën dirigjimin e maestros Toshio Yanagisawa, muzika amerikane është ndërthurur me frymën shqiptare në koncertin në nderim të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dance” e Valton Beqirit ka qenë “një shpirt i shqiptarëve në një shpirt amerikan” Nga “Një amerikan në Paris” te ritmet e “West Side Story” e deri te tupani tradicional i përfshirë në orkestër, Filharmonia e Kosovës e ka përmbyllur sezonin artistik me një koncert që ka bashkuar tradita muzikore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në sheshin “Skënderbeu”, para qindra njerëzve, të enjten mbrëma muzika amerikane është ndërthurur me frymën shqiptare në koncertin “Americana” në nderim të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Koncerti nuk ka qenë vetëm përmbyllje e sezonit. Qendra e Prishtinës u bë sallë koncertale nën qiell të hapur, ku muzika simfonike është përzier me zhurmën e qytetit.

Dritat shumëngjyrëshe kanë ilustruar ritmin e veprave në skenë. Në ekranet gjigante janë shfaqur flamuri i Kosovës dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e bërë të dukshme simbolikën e koncertit të titulluar “Americana”, organizuar për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Në fund, shpërthimi i letrave shumëngjyrëshe mbi orkestër e publik ka qenë si kulm i mbrëmjes festive, me të cilin Filharmonia e Kosovës ka mbyllur sezonin artistik 2025/2026. Nën drejtimin e dirigjentit japonez, Toshio Yanagisawa, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka ndërtuar programin që ka përshkuar disa prej veprave më të rëndësishme të muzikës amerikane të shekullit XX.

Midis emrave si George Gershwin, William Grant Still, Leonard Bernstein dhe John Philip Sousa, vend të veçantë ka zënë edhe kompozitori Valton Beqiri me pjesën “Dance” nga vepra e tij “Shpirti i traditës”. Ka krijuar një lloj ure në koncertin që ka synuar dialogun midis kulturave.

Dritat shumëngjyrëshe kanë ilustruar ritmin e veprave në skenë (Foto: Arben Llapashtica) Koncerti është hapur me “An American in Paris” të George Gershwinit, e cila konsiderohet si një nga veprat më emblematike të repertorit simfonik amerikan. Frymëzuar nga përjetimet e kompozitorit në kryeqytetin francez, shkruhet se ajo lëviz midis elegancës së muzikës klasike dhe lirisë së jazzit.

Është luajtur me pesë pjesët e saj – “Morning Stroll”, “The Left Bank”, “The Blues”, “Nostalgia” dhe “Finale”. Pas veprës së Gershwinit, orkestra ka interpretuar “Serenade for Orchestra” të William Grant Still. Ka pasur plot melodi e ngjyra të pasura në orkestër, duke ngjarë se lëviz midis klasikes e identitetit amerikan.

Në ekranet gjigante janë shfaqur flamuri i Kosovës dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e bërë të dukshme simbolikën e koncertit të titulluar “Americana” (Foto: Arben Llapashtica) Por, ishte vepra e Valton Beqirit ajo që e bëri muzikën e Kosovës të pranishme në program. Në mbrëmjen kushtuar muzikës amerikane, “Dance” nuk u ndie si trup i huaj.

Ritmet popullore shqiptare të ndërthurura me gjuhën simfonike kanë krijuar energji krejt tjetër, ndërsa tingulli i tupanit ka qenë elementi më i veçantë i interpretimit. Vetë kompozitori ka treguar se historia e kësaj vepre lidhet pikërisht me dirigjentin Toshio Yanagisawa.

“’Dance’ është pjesë e katër kohëve të ‘Shpirtit të traditës’ e cila ka qenë e kërkuar nga dirigjenti Toshio Yanagisawa duke kërkuar specifikisht të ketë edhe një instrument folklorik shqiptar. Natyrisht, në këtë rast e kam përdorur tupanin. Është version i ri, realisht është version për orkestër të plotë simfonike, sepse versioni fillestar ka qenë për orkestër harkore.

Ishte një shpirt i shqiptarëve në një shpirt amerikan”, ka thënë kompozitori Valton Beqiri. “Jam i kënaqur që punoj me Filharmoninë e Kosovës. Situata e orkestrës është gjithmonë në ndryshim. Së pari, erdha këtu në vitin 2007, gati 18 a 19 vjet më parë.

Në atë kohë na duhej më shumë kohë për prova…”, ka thënë dirigjenti Toshio Yanagisawa (Foto: Arben Llapashtica) Në pjesën e dytë të koncertit ka ardhur “Symphonic Dances from West Side Story” të Leonard Bernsteinit, suitë që përmbledh momentet më të njohura të mjuzikllit legjendar.

Nga “Prologue” e deri te “Somewhere”, “Scherzo”, “Mambo”, “Cha-Cha”, “Meeting Scene”, “Fugue”, “Rumble” dhe “Finale”, orkestra ka sjellë gjithë kontrastet e veprës – lirizmin, tensionin dramatik e energjinë ritmike që e kanë bërë atë një nga kryeveprat e muzikës amerikane.

Koncerti u mbyll me marshin “The Stars and Stripes Forever” të John Philip Sousas, një vepër tejet energjike që u prit me duartrokitje nga publiku. Për dirigjentin Toshio Yanagisawa, koncerti ka qenë edhe një lloj rasti për të reflektuar mbi rrugëtimin e Filharmonisë së Kosovës, me të cilin institucion bashkëpunon prej gati dy dekadash. “Jam i kënaqur që punoj me Filharmoninë e Kosovës.

Situata e orkestrës është gjithmonë në ndryshim. Së pari, erdha këtu në vitin 2007, gati 18 a 19 vjet më parë. Në atë kohë na duhej më shumë kohë për prova. Por gradualisht, prova nuk është më një muaj, dy javë, ndoshta një javë, kështu që tash na duhet të ushtrojmë për një kohë shumë të shkurtër. Ky është përparim.

Gjithmonë them se përparimi është shumë i rëndësishëm për orkestrën”, ka thënë ai. Ishte vepra e Valton Beqirit ajo që e bëri muzikën e Kosovës të pranishme në program (Foto: Arben Llapashtica) Sipas tij, Orkestra po shkon përherë drejt avancimit. “Flas në përgjithësi dhe Kosova nuk bën përjashtim. Filharmonia e Kosovës nuk bën përjashtim, na duhet cilësi.

Ne duhet të ndryshojmë shumë mendje. Mendoj se tani është koha shumë e rëndësishme. Pra, kjo do të thotë, sonte mbajtëm koncert, kemi një javë prova, por më në fund koncerti ishte i mirë. Jam shumë i kënaqur që punoj me Filarmoninë e Kosovës”, ka thënë ai. Yanagisawa ka folur edhe për raportin e tij me veprën e Valton Beqirit, duke zbuluar se ajo ishte porositur prej tij vjet më parë.

“E luajtëm veprën ‘Shpirti i traditës’ të Valton Beqirit, sepse e kam porositur unë. Ndoshta në vitin 2011 ose 2012, kështu që i kam kërkuar kompozitorit ta shkruajë atë për mua. Në përgjithësi, muzika që u luajt është shumë e njohur. Pati muzikë interesante amerikane dhe ajo e Kosovës, e përzier në një program. Është diçka shumë e bukur”, ka thënë dirigjenti japonez.

Në përmbledhje, koncerti “Americana” ka qenë një program kushtuar SHBA-së, një vepër shqiptare me tupan, si mesazh artistik i mbrëmjes (Foto: Arben Llapashtica) Madje ai ka gjetur paralele interesante midis Gershwinit dhe Beqirit. “Është gjysmë klasike dhe gjysmë jazz.

Gjithashtu ndiej diçka që muzika e Valton Beqirit është muzikë popullore, kështu që i kam kërkuar të përdorë meloditë tradicionale. Edhe tupanin. Dhe ai e futi tupanin në muzikën klasike. Kjo është e njëjta qasje si Gershwin, kaq klasike me jazz, diçka klasike me tupan, si kjo. Është pak e ngjashme”, ka konsideruar ai.

Koreografi italian, Toni Candeloro, e ka vlerësuar koncertin si përjetim të veçantë. “Sonte u befasova nga ky koncert shumë epik me këtë muzikë të rëndësishme të shekullit të kaluar. Ky maestro është i madh. Është shumë e rëndësishme jo vetëm që dirigjon, por thjesht edhe të jetë prezent dhe të na japë këtë repertor, është shumë e rëndësishme.

Dhe faleminderit Prishtina sepse është bërë shtëpia ime e dytë. Faleminderit për këtë skenë të madhe të kulturës”, ka thënë ai. Në përmbledhje, koncerti “Americana” ka qenë një program kushtuar SHBA-së, një vepër shqiptare me tupan, si mesazh artistik i mbrëmjes. Filharmonia do të rikthehet me sezonin e ri më 25 shtator.

Burimi: Koha