Rreth 200 jetë janë shpëtuar në Angli falë vaksinës kundër virusit papilloma njerëzor (HPV), e cila mbron nga kanceri i qafës së mitrës, sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore The Lancet. Hulumtimi tregoi se vdekjet nga kjo sëmundje kanë rënë ndjeshëm që kur vajzave të moshës shkollore iu ofrua vaksina në vitin 2008.
Gjatë periudhës 2020-2024 nuk u regjistrua asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës tek gratë 20-24 vjeç, ndërsa pa vaksinim pritej të kishte rreth 23 raste fatale. Sipas studiuesve, personat e vaksinuar në moshën 12-13 vjeç kanë pothuajse zero rrezik të vdesin nga kjo sëmundje para moshës 30-vjeçare.
Para fillimit të fushatës së vaksinimit, në këtë grupmoshë regjistroheshin rreth 20 vdekje në vit. HPV besohet të shkaktojë 99 për qind të rasteve të kancerit të qafës së mitre, shkruan BBC, përcjell KosovaPress. Shumica e infeksioneve kalojnë pa probleme, por disa mund të shkaktojnë ndryshime qelizore që çojnë në kancer pas shumë vitesh.
Autorët e studimit presin që numri i vdekjeve të vazhdojë të bjerë me rritjen e shkallës së vaksinimit. Organizata Cancer Research UK i cilësoi gjetjet si një “arritje të jashtëzakonshme”, por paralajmëroi se niveli i vaksinimit në Angli mbetet nën rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
