Një lajm i veçantë ka ardhur nga Familja Mbretërore Shqiptare. Princ Leka dhe Princesha Blerta janë bekuar me ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë, një djalë të cilin e kanë pagëzuar me emrin Aleksandër.
Lajmi është bërë i ditur nga ish-drejtori i komunikimit të Familjes Mbretërore, Erion Teli, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka ndarë emocionet për këtë moment të rëndësishëm. “Princi Aleksandër i shqiptareve sapo u lind… Që nga ora e mëngjesit e kam parë orën pa pushim. Sot është një nga ato ditë që fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar gëzimin.
Mbrëmë, në lutjen time, i kërkova Perëndisë ta bekonte Princeshën Blerta, t’ia lehtësonte çdo çast të kësaj dite dhe të ishte pranë saj. Sot besoj se Ai e dëgjoi atë lutje”, ka shkruar Teli. Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohjen ndaj Princeshës Blerta për pritjen dhe afërsinë e treguar ndaj mbështetësve të Familjes Mbretërore Shqiptare.
“Në këtë ditë kaq të veçantë dua t’i them vetëm një gjë Princeshës sonë: Faleminderit. Faleminderit që na ke duruar ne, monarkistëve, me gjithë padurimin, emocionet dhe dashurinë tonë për Familjen Mbretërore. Gjithmonë na ke pritur me mirësi, përulësi dhe një buzëqeshje që na ka bërë të ndihemi si pjesë e kësaj gëzimi”. Në fund të postimit, Teli ka uruar ardhjen në jetë të Princit të ri.
“Mirë se erdhe në jetë, Lartësia e Tij Mbretërore, Princ Aleksandër! Zoti e bekoftë Familjen Mbretërore Shqiptare”, ka shkruar ai mes tjerash. Deri më tani, Princ Leka dhe Princesha Blerta nuk kanë bërë ende një reagim publik për lindjen e djalit të tyre. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
