Policia nisi hetim për vlerësimet negative ndaj bizneseve, Berisha:

0%

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me hetimin që ka nisur Policia e Shtetit ndaj një “fushate” online kundër bizneseve të afërta me qeverinë, duke vënë nën verifikim mbi 10 mijë profile false.

Në një deklaratë, Berisha theksoi se hetimi është urdhëruar nga Kryeministri Edi Rama, për të cilin thotë se është i tmerruar nga protesta masive që vijon prej më shumë se një muaji në shesh.

“I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve.” , deklaroi Berisha.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Berisha thotë se Partia Demokratike e konsideron si të pacenueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo gjë dhe për cilindo. Sipas kryedemokratit, kjo fushatë gjasme kundër përshtypjeve negative për bizneset është organizuar nga “narkoinstitucionet” dhe “patronazhistët” për të sulmuar pjesëmarrësit e protestës.

“Nën pretekstin e identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet të gjendet një shkak për të vendosur një policim të plotë, digjital dhe masiv të veprimtarisë online të qytetarëve”, shtoi ai, duke e konsideruar këtë veprim si të ngjashëm me regjimin e Iranit.

“Me policimin digjital, po përgatitet terreni që ashtu siç bëri me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve të bllokohen mijëra llogari dhe, po qe e mundur, rrjetet sociale në tërësi .”, shtoi ai. Berisha paralajmëroi se do të kërkojnë edhe një komision parlamentar.

“Partia Demokratike do kerkojë komision hetimor parlamentar të kësaj veprimtarie antikushtetuese të narko-institucioneve të regjimit të Edi Ramës.” Reagimi i plotë: I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve.

Kësaj radhe, kjo nuk po bëhet vetëm për sulmet e tyre ndaj Edi Ramës për të cilat ai është betuar si hakmarrës primitiv se “ata që më vijnë mbrapa, do të më kenë prapa”, por edhe për përshtypjet dhe komentet negative ndaj bizneseve të afërta me qeverinë.

Partia Demokratike konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur përshtypjen e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr dhe, në këtë kuadër, për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë kufizim. Sikurse, PD konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo gjë dhe për cilindo.

Natyrisht, Partia Demokratike nuk pajtohet kurrë me përshtypje të rreme nga llogari false për shërbime që nuk janë marrë kurrë, të cilat synojnë të dëmtojnë konkurrencën e ndershme.

Por, Partia Demokratike shpreh dyshimet e saj më serioze se këto përshtypje false negative janë akte të organizuara nga patronazhistët e qeverisë së tyre në funksion të qëllimeve të zeza represive censuriale të saja Fakti që ky problem del pikërisht në kulmin e protestës rinore e qytetare, tregon qartë se: Kjo fushatë gjoja kundër përshtypjesh të rreme negative është e organizuar nga narkoinstitucionet dhe patronazhistët për të sulmuar eksponentët dhe pjesëmarrësit e protestës; Nën pretekstin e identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet të gjendet një shkak për të vendosur një policim të plotë, digjital dhe masiv të veprimtarisë online të qytetarëve; Edi Rama ka si qëllim kryesor kontrollin e komenteve të qytetarëve kundër tij dhe qeverisë së tij; Me policimin digjital, po përgatitet terreni që ashtu siç bëri me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve të bllokohen mijëra llogari dhe, po qe e mundur, rrjetet sociale në tërësi.

Prandaj, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe, si një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë, mendimit dhe shprehjes, vendimin e Edi Ramës për kontrollin dhe policimin e rrjeteve sociale të qytetarëve, si dhe të statuseve e komenteve të tyre në këto rrjete.

Partia Demokratike do kerkojë komision hetimor parlamentar të kësaj veprimtarie antikushtetuese të narko-institucioneve të regjimit të Edi Ramës.

Burimi: Bota Sot