OBSH: Rastet me kancer pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën deri

0%

Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Numri i rasteve me kancer në botë pritet të rritet nga rreth 20.6 milionë në afro 35 milionë në vit deri në vitin 2050, ndërsa një në pesë persona do të diagnostikohet me këtë sëmundje gjatë jetës, paralajmëron një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka raportuar The Guardian.

Sipas raportit, 92 për qind e njerëzve do të preken nga kanceri, qoftë përmes një diagnoze personale ose të një familjari apo personi të afërt. “Për vite me radhë kemi folur për përparimin shkencor, teknologjitë e reja dhe trajtimet që japin shpresë. Kjo është e vërtetë, por nuk është e gjithë historia”, ka thënë doktori Andre Ilbawi nga OBSH.

Raporti thekson se pabarazitë në qasjen ndaj parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit vazhdojnë të jenë të mëdha, sidomos mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta. Në vendet e pasura, 85 për qind e pacientëve me kancer gjiri ose kancer te fëmijët, mbijetojnë të paktën pesë vjet, ndërsa në vendet më të varfra kjo përqindje bie në më pak se 30 për qind.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në 23 shtete mungojnë plotësisht pajisjet për radioterapi. Raporti zbulon gjithashtu se kostoja e lartë e trajtimit detyron deri në 90 për qind të pacientëve në disa vende ta ndërpresin terapinë, ndërsa shumë familje përballen me vështirësi të mëdha financiare dhe psikologjike. “Kam parë prindër që detyroheshin të zgjidhnin mes pagesës së trajtimit dhe mbajtjes së fëmijëve në shkollë.

Kam parë edhe fëmijë që ndërprisnin arsimin sepse të gjitha kursimet e familjes shkonin për kujdesin ndaj kancerit”, ka thënë Abigail Simon-Hart, e mbijetuar nga kanceri i gjirit dhe aktiviste nga Nigeria Ajo ka shtuar se në disa vende stigma ndaj kancerit është aq e fortë, sa disa gra kanë zgjedhur të humbin jetën në vend që t’i nënshtrohen një operimi për heqjen e gjirit që mund t’u shpëtonte jetën.

Megjithatë, raporti sjell edhe lajme pozitive. Sipas ekspertëve, katër në dhjetë raste të reja me kancer lidhen me faktorë rreziku që mund të parandalohen, si duhani, alkooli, infeksionet dhe mbipesha.

“Katër në dhjetë raste të reja të kancerit lidhen me faktorë rreziku që ne tashmë dimë si t’i parandalojmë”, ka thënë doktoresha Isabelle Soerjomataram nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin.

OBSH u bën thirrje qeverive që të investojnë më shumë në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, duke i kushtuar kujdesit ndaj pacientëve të njëjtën rëndësi si zhvillimit të kurave të reja.

Burimi: Koha