Ndërsa e gjithë bota flet për ndeshjen ndaj Anglisë, golat dhe rekordet e tij, Erling Haaland ka treguar edhe anën e vet njerëzore. Sulmuesi i Norvegjisë dhe Manchester City mësoi historinë tragjike të Denisit, një djaloshi 6-vjeçar që humbi jetën pasi u përplas nga një makinë në një zonë banimi në komunën “Time”, pranë Stavangerit, vendi ku u rrit Haaland.
Drejtuesi i automjetit u largua pa i dhënë ndihmë viktimës. Denisi ishte tifoz i zjarrtë i Haaland, mbante fanellat e Manchester City dhe Norvegjisë dhe ëndërronte të bëhej si idhulli i tij. Pasi morën vesh historinë, Haaland dhe familja e tij i dërguan familjes së vogëlushit një fanellë me letër prekëse. Babai i Denisit, Thomas Skjorestad, shkroi: “Na bëtë të rrëqethemi si kurrë më parë.
Po të ishte Denisi këtu, do të ishte jashtëzakonisht krenar. Erling ishte idhulli i tij, faleminderit shumë”. Në letrën e tij, Haaland shkruante: “ Si prindër dhe vëllezër, është e pamundur ta kuptojmë plotësisht dhimbjen tuaj, por dijeni se, si shumë të tjerë, jemi pranë jush”. Gjatë funeralit u interpretua kënga “Sammen for Norge” (“së bashku për Norvegjinë”), e preferuara e Denisit.
