Erdogan u dhuron liderëve të NATO-s revole pas samitit

0%

Kryeministri i Belgjikës u befasua kur u kthye në vendin e tij pas samitit të NATO-s të mbajtur të mërkurën () në Turqi, kur pa se në bagazhin e tij ishte një revole dhe municion.

Pas samitit të NATO-s në Ankara, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, u dhuroi secilit prej liderëve pjesëmarrës një dhuratë të pazakontë: një revole të vjetër, së bashku me fishekë, duke treguar kështu se arma nuk ishte vetëm për ekspozim.

Erdogan synonte të promovonte industrinë turke të mbrojtjes, e cila është shndërruar në një nga eksportet kryesore dhe një mjet të rëndësishëm të politikës së jashtme të vendit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fotografitë e publikuara nga zyra e presidentit të Lituanisë, Gitanas Nauseda, tregonin atë që dukej të ishte modeli Gumusay .357 Magnum, një revole e rrallë me gjashtë fishekë, e prodhuar nga kompania turke e armëve MKE gjatë viteve 1990.

Arma ishte vendosur në një kuti druri me flamurin e Turqisë, logon e NATO-s dhe një pllakë ku shkruhej në turqisht dhe anglisht: “Gumusay, revolja e parë e prodhuar në vendin tonë”. Zëdhënësi i kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, tha se të gjithë liderët kishin marrë të njëjtin model, me emrin e secilit të gdhendur në tytën e armës.

Kryeministri belg, Bart De Wever, ia dorëzoi revolen policisë së Aeroportit të Brukselit për ta ruajtur në një kasafortë. Një këshilltar i presidentit polak Karol Naërocki i tha Radios RMF FM se revolja e tij po priste procedurat doganore në Aeroportin e Varshavës dhe do të ruhej në një vend të përshtatshëm “në mënyrë që, së pari, të jetë e sigurt dhe, së dyti, të respektohet si dhuratë”.

“Sigurisht që askush nuk do të qëllojë me të”- shtoi ai. Zyrat e kryeministrave të Holandës dhe Suedisë njoftuan se revolet e tyre ishin dërguar në ambasadat përkatëse në Ankara. Revolja holandeze pritej të çaktivizohej, ndërsa ajo suedeze ishte ende në pritje të dokumentacionit për import.

Sipas një burimi nga Downing Street, arma e dhuruar kryeministrit britanik Keir Starmer përfshinte edhe një komplet për pastrim dhe 500 fishekë. Revolja e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, tashmë është ruajtur në Pallatin Chigi, selinë e qeverisë italiane, së bashku me dhurata të tjera shtetërore.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, synon ta dhurojë revolen e saj në një muze ushtarak, ndërsa kryeministri i Greqisë planifikon ta dërgojë në Muzeun e Luftës në Athinë. Kryeministri kanadez, Mark Carney, duke bërë shaka tha se “më shkoi ndër mend se dhurata ime me shurup panje ishte shumë më modeste” se ajo turke, duke shtuar se në fakt nuk e kishte parë fare armën.

“Dua t’i siguroj kanadezët se armët mbahen larg meje”- tha ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se revolja ishte çaktivizuar dhe mund të përfundonte në muzeun kombëtar të luftës.

Prodhuesit turq të armëve kanë fituar terren në tregun evropian të armëve civile me pistoleta dhe pushkë gjahu me çmime konkurruese, duke sfiduar prodhuesit tradicionalë italianë dhe belgë, të njohur prej kohësh për armët sportive dhe të shërbimit me çmime më të larta.

Sipas organizatës Small Arms Survey me seli në Gjenevë, Turqia ishte eksportuesi i tretë më i madh në botë i armëve të vogla gjatë periudhës 2019–2024, me eksporte me vlerë rreth 3 miliardë dollarë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë. Reuters

Burimi: Kallxo