Shpërndaje në: Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës i ka kritikuar institucionet e vendit, për siç ka thënë, krijimin e një narracioni se produktet vendore nuk janë cilësore.
Tek ka folur për inspektimin që autoritetet e vendit e kanë bërë në qumështoren “Vita”, ai ka thënë se nuk është e ndershme që të proklamohen narracione se në Kosovë po prodhohet një produkt kancerogjen. Ai ka thënë se situatat e tilla nuk duhet të shfrytëzohen për siç ka thënë propagandë.
“Situatat që po krijohen dhe kjo nuk është vetëm një situatë, sektori prodhues fatkeqësisht historikisht përballet me situata të palakueshme, që duket se bahet një zhurmë e shkurtër sikur që ka ndodhur tabni brenda një jave ose dy harrohen, por dëmi është pasoja që lë mbrapa.
Sepse t’i shkohet me 20 – 30 inspektorë një biznesi që vazhdimisht mund të kontrollohet dhe ka të drejtë të kontrollohet në çfarëdo kohe edhe të proklamohet me narracione të tilla që po prodhohet produkt kancerogjen në Kosovë, nuk është e ndershme, edhe së pari s’i bën nder as Kosovës si shtet e as prodhuesve”, ka theksuar Ajvazi në emisionin “Konfront” në KTV.
Sipas tij me kësi narracioni po krijohen bindje se vetëm, produktet e importit janë cilësore. Por, Ajvazi ka thënë se kjo është e gabuar pasi sipas tij çdo ditë e më shumë, porduktet e Kosovës po depërtojnë në tregun evropian.
“Nëse qëllimi kryesor është siguria e ushqimit nuk duhet të krijohen situata të tilla, ku patjetër duhet të proklamohet nëpër media edhe të krijohen narracione të tilla që prodhimi vendor nuk është i mirë, ende pa dal rezultatet, vetëm merrni edhe shikoni se çfarë po ndodh në rrjetet sociale”, ka theksuar ai, duke thënë se pasi të dalin analizat në rregull askush nuk merret me dëmin që i është shkaktuar kompanisë.
Ditë më parë qumështorja “Vita” u vetëmbyll pas një inspektimi nga institucionet. Bordi i kompanisë u ankua se në treg po lejohen produkte të importuara me pretendimin se vijnë me çmim më të lirë se në tregjet e vendeve përkatëse. Pas protestave të fermerëve, u arrit dakordimi me Ministrinë e Bujqësisë që deri më 12 korrik të publikohen rezultatet e inspektimit në “Vita”.
