Hamza e Abdixhiku të gatshëm për t’u takuar me Kurtin, Gjini refuzon

0%

Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që është edhe kryetar i Vetëvendosjes u ka bërë ftesë për takim kryetarit të PDK-së, atij të LDK-së dhe atij të Aleancës.

Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, ndërsa Ardian Gjini e ka refuzuar atë Partia e dytë dhe e tretë për kah fuqia në kuvend kanë mbledhur kryesitë për t’iu përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për takim.

Pas mbledhjes të enjten, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nga mosfunksionimi i institucioneve po dëmtohet vendi e si rrjedhojë, situata duhet të trajtohet me seriozitet duke nisur nga ftesa që i ka shkuar, e që sipas tij, nuk është dërguar siç do të duhej. Megjithatë, kryetari i PDK-së, ka thënë se e ka pranuar ftesën e homologut të tij nga Vetëvendosje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Unë ia ktheva shkresën që PDK-ja është e gatshme të takohet nesër në ora 9 në ambientet e Kuvendit”, ka thënë ai. Hamza ka thënë se prioritet i PDK-së nuk do të jetë diskutimi për pozita. “Unë do të sillem në mënyre të përgjegjshme dhe institucionale.

Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ri përsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka thënë Hamza.

“Ftesa duhet të dërgohet në mënyrën se si e kërkon rendi që të dërgohet nga kryetari i partisë me numrin më të madh të ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë në një komunikatë për media, PDK-ja ka njoftuar se kryesia e saj ka vendosur që çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve “meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron Kurti për tejkalimin e krizës institucionale”.

“PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.

Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës dhe jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar gatishmërinë për takim me Kurtin. “Do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës. Ky le të jetë një takim i parë, do të provoj të takohem edhe me liderët e partive të tjera për të kuptuar pozicionet e tyre.

Shprehim gatishmëri që LDK të jetë pjesë aktive aq sa mundet, brenda parimeve dhe vlerave që i përfaqëson, drejt formimit të institucioneve të reja”, ka theksuar Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së. Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nuk ka ftuar kryesinë për diskutim, por e ka publikuar letrën që i ka kthyer Kurtit.

Ajo, në bazë të përmbajtjes, tregon se kërkesa për takim është refuzuar. “Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë.

Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.

Javë më parë, Gjini ka thënë se Aleanca do të japë kontributin e saj për funksionalizimin e institucioneve me kushtin që të pranohen nga partia fituese gjashtë kushtet e saj.

E ato janë “Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit; Pavarësia energjetike: nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill; Lehtësime për bizneset e vogla: ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro; Mbështetje për bujqësinë: lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

Buxhetimi i infrastrukturës: financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë; dhe Fondi emergjent për kryeqytetin: ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro për Prishtinën”.

Gjatë diskutimeve për president në muajt mars dhe prill, para zgjedhjeve të 7 qershorit, Kurti asnjëherë nuk e ka ftuar në takime kryetarin e Aleancës, që në atë kohë ishte Ramush Haradinaj. E takimet me Hamzën e Abdixhikun nuk patën prodhuar ndonjë rezultat për çka vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme më 7 qershor.

Nga këto zgjedhje, fituese ka dalë VV-ja me 53 deputetë, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me 7. Ndërkohë, njohës të çështjeve politike kanë thënë se takimet mes krerëve partiakë duhet të jenë transparente dhe të përmbajnë diskutimet për të tria institucionet, konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas analistit Mehdi Sejdiu, ftesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është një hap i mbarë për të nisur procesin që duhet të kulmojë me zgjedhjen e bartësve të institucioneve. “Edhe herën e kaluar kanë negociuar dhe kanë marrë pjesë në takime vazhdimisht deri në momentin pas shumë negociatash nuk dihej asnjë emër i diskutuar apo i propozuar për president.

Kështu që kësaj here shpresojmë që do të jenë më të qartë dhe besoj që ia kanë borxh edhe votuesve të tyre, por edhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi të flasin pak më hapur për presidentin”, ka thënë Sejdiu. E sipas analistit Ramadan Baraliu, formula e suksesit përfshin diskutimet për të tria institucionet.

“Zgjidhja më ideale do të ishte nëse që në këtë fazë subjektet politike ulen dhe e krijojnë njëfarë harte të rrugëtimit të mëtutjeshëm. Në kuptimin e asaj që do të merren vesh eventualisht edhe për zgjerimin e koalicionit qeverisës, edhe në këtë kuadër të merren vesh edhe për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Baraliu.

Ndryshe nga ftesat për takimet që u mbajtën në mars dhe prill për çështjen e presidentit, Kurti ka ftuar edhe kryetarin e Aleancës për takim, i cili e ka refuzuar. Sejdiu thotë se përfshirja e kësaj partie mund të jetë vendimtare për të ofruar zgjidhje.

“Për dallim prej herës së kaluar e kemi edhe ftesën ndaj AAK-së, e cila paksa është anashkaluar në raundet e negociatave në të kaluarën për presidentin për shkak të numrit të vogël të tyre, por kësaj here mund të faktorizohet prapë nëse kemi skenarin kur LDK-ja nuk mund t’i garantojë të gjitha votat e deputetëve të vetë”, ka thënë Sejdiu.

Legjislatura e kaluar ka dështuar ta zgjedhë presidentin pas skadimit të mandatit të Vjosa Osmanit. Për të zgjedhur presidentin, deputetët kanë kohë 60 ditë pasi kuvendi të konstituohet.

Burimi: Koha