LDK del me pesë pika pas mbledhjes së kryesisë, konfirmon mbështetjen

0%

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë me pesë përfundime pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, ku janë diskutuar rezultati i fundit zgjedhor, zhvillimet brenda partisë dhe situata politike në vend.

Në komunikatën e publikuar pas takimit, LDK ka vlerësuar angazhimin e strukturave, kandidatëve, aktivistëve dhe anëtarësisë gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se rritja e shënuar në zgjedhje përbën një rezultat pozitiv, por jo të mjaftueshëm për synimet politike të partisë.

“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike”, thuhet në komunikatë. Sipas partisë, përgjegjësia për adresimin e mangësive dhe shndërrimin e kësaj rritjeje në mbështetje më të madhe qytetare i takon të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të LDK-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kryesia e LDK-së ka shprehur mbështetje për kryetarin Lumir Abdixhiku në ushtrimin e mandatit të tij për udhëheqjen e proceseve politike dhe organizative, si dhe në procesin e formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës përmes diskutimeve me partitë e tjera parlamentare.

Në komunikatë është theksuar gjithashtu se zgjedhjet e brendshme të partisë do të mbahen në afatin e rregullt, duke kundërshtuar çdo përpjekje për trajtimin e çështjeve jashtë mekanizmave të përcaktuar me statut. “LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë.

Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë”, ka deklaruar Kryesia.

Në fund, LDK u ka bërë thirrje anëtarëve dhe strukturave të saj që angazhimin ta përqendrojnë në forcimin e partisë dhe rritjen e besimit qytetar, duke theksuar se vendit i duhet një LDK “e bashkuar, e qëndrueshme dhe e përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike”.

Burimi: Telegrafi