Dod Beci – Bartës dhe interpretues i shquar i këngës tradicionale

0%

Një ndër pasuritë më të çmuara të trashëgimisë shpirtërore të Mirditës është folklori i saj muzikor, i cili ka ruajtur deri në ditët tona tipare të veçanta artistike dhe identitare. Këngët tradicionale mirditore, sidomos ato epike, historike dhe lirike, janë përcjellë brez pas brezi nëpërmjet bartësve të tyre, duke mbetur një ndër dëshmitë më autentike të kulturës shqiptare.

Në këtë traditë të pasur dallohen disa familje që, për dekada me radhë, kanë qenë ruajtëse dhe përcjellëse të këngës burimore. Ndër më të njohurat është familja Beci nga Selita e Mirditës, e cila i ka dhënë folklorit shqiptar një varg këngëtarësh, rapsodësh dhe krijuesish të spikatur.

Nga kjo familje kanë dalë emra të njohur si Gjok Beci, Prenë Beci, Gjela Beci (Duka), Kolë Beci, Dod Beci dhe personalitete të tjera që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën artistike e kulturore të krahinës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një vend të veçantë në këtë trung familjar zë Dod Beci, i cili konsiderohet një ndër bartësit më përfaqësues të këngës tradicionale të Mirditës dhe një nga interpretuesit më autentikë të këngës së burrave mirditorë.

Ai u shqua për interpretimin besnik të repertorit tradicional, duke ruajtur mënyrën e vjetër të të kënduarit, karakteristike për Mirditën, si në këngët epike e historike, ashtu edhe në ato lirike. Dod Beci ishte një ndër zërat më të njohur të Grupit të Burrave të Mirditës, formacion që luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë folklorike të krahinës.

Emri i tij lidhet me brezin e parë të interpretuesve që përfaqësuan denjësisht Mirditën në veprimtari të rëndësishme folklorike kombëtare. Ai përmendet ndër këngëtarët që morën pjesë në Festivalin e Parë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, në vitin 1968, ku kënga mirditore u paraqit me dinjitet dhe u vlerësua për origjinalitetin dhe vlerat e saj artistike.

Në kujtesën e dashamirësve të folklorit kanë mbetur interpretime të njohura si “Nusja e mirë e minatorit”, kënga majekrahu dhe “Gurgullon Gurra Malësore”, të cilat Dod Beci i interpretoi me mjeshtëri dhe autenticitet, duke ruajtur stilin karakteristik të këngës tradicionale mirditore.

Në vitin 1973, vëllezërit Preng dhe Dod Beci u përzgjodhën për t’iu bashkuar grupit artistik të Mirditës në përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Për afro dy muaj ata morën pjesë në provat intensive me repertorin e përzgjedhur, ku bënin pjesë edhe këngët Majekrahu dhe kenga “Gurgullon Gurra Malësore” qw do tw kwndohej pikwrisht prej tyre.

Megjithatë, për arsye që lidhen me praktikën dhe ndërhyrjet administrative të sistemit të kohës, atyre nuk iu dha mundësia të merrnin pjesë në festival, duke u zbritur nga autobusi pak çaste para nisjes drejt Gjirokastrës. Dod Beci ishte një rapsod i mirëfilltë popullor. Përveç interpretimit, ai krijonte edhe tekste këngësh, të cilat i shoqëronte me mjeshtëri në çifteli.

Repertori i tij përfshinte këngë patriotike, historike, lirike, por edhe këngë me nota satirike e humoristike. Vëllai i tij, Preng Beci, ishte një instrumentist i talentuar, që luante me mjeshtëri fyellin, bilbilin dhe çiftelinë. Në repertorin e tyre zinin vend këngë kushtuar figurave të shquara kombëtare si Elez Isufi, Haso Kuka, Bajram Curri dhe Ded Gjon Luli.

Tradita artistike e kësaj familjeje u trashëgua më pas edhe te brezat pasardhës. Interpretimi i Dod Becit ruante tiparet më dalluese të këngës burimore mirditore: fuqinë dhe pastërtinë e zërit, qartësinë e shqiptimit, ritmin natyror dhe ngarkesën e thellë emocionale që karakterizon folklorin e kësaj treve.

Këto cilësi e bënë atë një ndër përfaqësuesit më dinjitozë të traditës muzikore të Mirditës dhe një emër të respektuar ndër bartësit e folklorit shqiptar. Kontributi i Dod Becit nuk kufizohet vetëm në interpretimin artistik.

Ai i përkiste atij brezi bartësish popullorë që, shumë kohë përpara institucionalizimit të ansambleve folklorike, e ruajtën dhe e përcollën këngën tradicionale si pjesë organike të jetës së përditshme, të riteve familjare, kuvendeve, dasmave dhe festave popullore.

Në këtë mënyrë, ai dha një ndihmesë të çmuar në ruajtjen e vazhdimësisë së traditës dhe në përcjelljen e saj te brezat pasardhës. Roli i tij në historinë e folklorit mirditor lidhet edhe me konsolidimin e traditës së këngës së burrave, një prej formave më karakteristike të interpretimit vokal tradicional në Shqipërinë e Veriut.

Zëri, stili interpretues dhe repertori i tij mbeten pjesë e memories kulturore të Mirditës dhe përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të identitetit artistik të kësaj treve. Megjithëse deri më sot mungon një monografi e plotë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, emri i Dod Becit është ruajtur në kujtesën popullore, në dëshmitë e bashkëkohësve dhe në botimet kushtuar folklorit mirditor.

Këto dëshmi e rendisin atë ndër bartësit më përfaqësues të këngës tradicionale të Mirditës dhe ndër figurat që dhanë një kontribut të vyer në ruajtjen, pasurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Figura e Dod Becit mbetet një ndër dëshmitë më domethënëse të rolit që kanë luajtur bartësit popullorë në mbijetesën e kulturës tradicionale shqiptare.

Përmes interpretimit, krijimtarisë dhe përkushtimit të tij, ai jo vetëm ruajti një trashëgimi të çmuar artistike, por kontribuoi edhe në forcimin e identitetit kulturor të Mirditës dhe të folklorit kombëtar shqiptar.

Burimi: Bota Sot