Dita kulturore shqiptare në Graz 2026

0%

Ka ditë që kalojnë dhe harrohen, por ka edhe ditë që mbeten të gdhendura në kujtesën e një populli. 28 Qershori 2026 ishte pikërisht një ditë e tillë për komunitetin shqiptar në Austri. Në zemër të qytetit të Grazit, flamuri kuqezi valëvitej krenar pranë flamurit austriak, ndërsa mijëra zemra shqiptare rrihnin si një.

Këngët e atdheut, vallet tradicionale, kostumet kombëtare, gjuha shqipe dhe buzëqeshjet e fëmijëve krijuan një atmosferë që për një çast e shndërroi Grazin në një copëz të Shqipërisë etnike.

Për të gjashtën herë me radhë, Shoqata Kulturore, Sportive dhe Humanitare “Atdheu” organizoi me sukses të jashtëzakonshëm Ditën Kulturore Shqiptare në Graz, një manifestim që tashmë është bërë simbol i unitetit të shqiptarëve në diasporë dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore shqiptare në Evropë. Kjo nuk ishte vetëm një festë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ishte një betim se gjuha jonë, kultura jonë, historia jonë dhe identiteti ynë do të jetojnë përgjithmonë, kudo që jetojnë shqiptarët.

Fjala e kryetarit Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Shoqatës “Atdheu”, Bashkim Shala, falënderoi të gjithë bashkatdhetarët, artistët, mysafirët, shoqatat, bizneset, donatorët dhe qindra vullnetarët që punuan për muaj të tërë për realizimin e kësaj feste. Ai u shpreh se: “Ne nuk jemi mbledhur vetëm për të kënduar e për të vallëzuar.

Jemi mbledhur për t’u treguar fëmijëve tanë se kush jemi, nga vijmë dhe çfarë trashëgimie të shenjtë kemi detyrim t’u lëmë brezave që vijnë. Gjuha shqipe, flamuri ynë dhe kultura jonë janë pasuria më e madhe që kemi.”

Ai theksoi se Shoqata “Atdheu”, tash e njëzet vjet, punon pa u ndalur për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe se Dita Kulturore Shqiptare është fryt i punës së përbashkët të gjithë komunitetit shqiptar në Austri. Përshëndetja e Ambasadës së Republikës së Kosovës Manifestimin e përshëndeti edhe z. Albinot Bimbashi, ushtrues detyre në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë.

Ai përgëzoi Shoqatën “Atdheu”, Kryesinë dhe Këshillin Organizativ për organizimin shembullor të kësaj feste, duke theksuar se: “Dita Kulturore Shqiptare në Graz tashmë është bërë një traditë që e nderon gjithë diasporën shqiptare. Një manifestim i këtij niveli është i rrallë jo vetëm në Austri, por edhe në Evropë.

Uroj që kjo festë të vazhdojë brez pas brezi dhe të mbetet përgjithmonë simbol i bashkimit të shqiptarëve.” Fjalët e tij u pritën me duartrokitje të gjata nga të pranishmit. Mesazhi i mësueses Miradije Berisha Në emër të Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, përshëndeti mësuesja Miradije Berisha, e cila ishte pjesëmarrëse me nxënësit e saj.

Ajo falënderoi Shoqatën “Atdheu” për organizimin dhe iu drejtua prindërve me një apel të fuqishëm: “Mos ua lini fëmijëve vetëm gjakun shqiptar. Jepuni edhe gjuhën shqipe. Dërgojini në shkollat shqipe, sepse aty ruhet identiteti ynë. Një komb që humb gjuhën, humb një pjesë të shpirtit të tij.” Ky mesazh preku zemrat e të gjithë të pranishmëve.

Moderimi Artistja e mirënjohur Emine Imeri e udhëhoqi të gjithë programin me profesionalizëm, kulturë dhe shumë emocion. Me mënyrën e saj të veçantë të komunikimit, ajo krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe familjare, duke bërë që çdo pjesëmarrës të ndihej sikur ndodhej në vendlindje.

Një skenë që bashkoi gjithë shqiptarët Në këtë manifestim performuan: Shoqëria Kulturore-Artistike “Zahir Pajaziti” – Podujevë; Ansambli “Malësori” – Hasi i Prizrenit; Ansambli “Hyjnesha” – Graz; Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” – Austri; Shoqata e Gruas “Kuq e Zi” – Villach; Shoqata “Rinia” – Graz; Shoqata “Atdheu” – Graz.

Atmosferë të jashtëzakonshme krijuan edhe aktorët e serialit “Edhe Malet Flasin”, të cilët u pritën me ovacione nga publiku. Në skenë performuan artistët e njohur Avni Hoti, Imer Loshi, Emine Imeri, Faton Berisha, Bajram Berisha, Mujë Xhekaj, së bashku me personazhet e dashura për publikun si Mjeshtri, Sadria, Mehmeti, Kapiten Ramizi dhe Burgija.

Me interpretimet e tyre ata sollën humor, emocion dhe shumë dashuri nga publiku shqiptar. Arti dhe libri Një vlerë e veçantë e kësaj feste ishte pavijoni i librit dhe artit, i organizuar nga Shoqata e Artistëve Shqiptarë në Austri, nën drejtimin e artistit dhe piktorit Haxhi Fejzullahu.

Punimet e tyre prezantuan: Poeti Ilmi Tahiri;, këngëtarja Fatime Kalimashi;, artistja Alma Gjeloshi; fotografi Remzi Feka; si dhe shumë krijues të tjerë që promovuan kulturën dhe artin shqiptar.

Sofra Shqiptare Një nga pjesët më mbresëlënëse ishte Sofra Shqiptare, e përbërë nga shtatë sofra tradicionale që simbolizonin: Shqipërinë, Dardaninë, Çamërinë, Malësinë, Iliridën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës Çdo sofër ishte e mbushur me gatime tradicionale, pije shqiptare, bukë, mikpritje dhe dashuri.

Ato dëshmuan se shqiptarët, pavarësisht kufijve politikë, mbeten një komb me një histori, një gjuhë dhe një zemër. Falënderim Shoqata “Atdheu” shpreh mirënjohjen më të thellë për çdo bashkatdhetar që mori pjesë në këtë manifestim.

Falënderim të veçantë për të gjitha shoqatat pjesëmarrëse, artistët, këngëtarët, aktorët, poetët, shkrimtarët, fotografët, moderatoren, mësuesit, bizneset shqiptare, sponsorët, donatorët dhe qindra vullnetarët që punuan pa u lodhur për realizimin e kësaj feste. Ju falënderojmë që dëshmuat edhe njëherë se shqiptarët dinë të bashkohen për kulturën, kombin dhe atdheun.

Përmbyllje Dita Kulturore Shqiptare në Graz nuk është vetëm një aktivitet kulturor. Ajo është një amanet për brezat që vijnë. Ajo është një urë që lidh diasporën me vendlindjen. Ajo është një flamur që valëvitet krenar në zemër të Evropës. Ajo është një mesazh se shqiptarët nuk harrojnë rrënjët e tyre.

Le ta ruajmë këtë traditë, ta forcojmë çdo vit edhe më shumë dhe t’ua lëmë trashëgim fëmijëve tanë, që nesër edhe ata të krenohen me gjuhën, kulturën dhe flamurin kuqezi. Sa të ketë shqiptarë në Graz, do të ketë edhe Ditë Kulturore Shqiptare. Sa të valojë flamuri ynë, do të jetojë edhe identiteti ynë kombëtar. Lavdi kulturës shqiptare! Lavdi diasporës sonë! Lavdi kombit shqiptar!

Me respekt dhe mirënjohje, Bashkim Shala Kryetar i Shoqatës Kulturore, Sportive dhe Humanitare “Atdheu” – Graz

Burimi: Bota Sot