Në një atmosferë të tensionuar dhe me të pandehurin që sillej çuditshëm, sot në Gjykatën Penale në Kumanovë filloi gjyqi i 25-vjeçarit Trajko Bojkovski, i cili është përgjegjës për katër vrasje brutale dhe dy tentativa vrasjeje të grave të moshuara në rajonin e Kumanovës. Çështja, të cilën prokuroria e quajti të pashembullt në praktikën gjyqësore, ngeci në seancën e parë dëgjimore.
Dragan Trajkoviq, avokati i të akuzuarit, tërhoqi mbrojtjen e tij pasi në fillim të gjyqit, i pandehuri u deklarua i pafajshëm për katër vrasjet.
“Duke pasur parasysh që i pandehuri nuk e pranoi këshillën time, si avokat mbrojtës, po e anuloj prokurën time në përputhje me nenin 76, paragrafi 7 i Ligjit për Procedurën Penale dhe në përputhje me të njëjtin nen, paragrafi 5, i propozoj gjykatës që t’i caktojë një avokat mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij”, tha avokati Trajkoviq, dhe seanca u shty për më 31 gusht.
I pandehuri Bojkovski, përpara se të thoshte se nuk ndihej fajtor për vrasjet e katër grave, shikoi tavanin, u rrotullua në karrigen e tij në sallën e gjyqit dhe nuk u përgjigj pyetjeve. Familjet e katër viktimave u bashkuan zyrtarisht sot me ndjekjen penale. Prokurori Ljubomir Lape njoftoi se do të provonte me prova të forta se aktet ishin kryer me dashje dhe se ishte nekrofili.
