Qendra e Paraburgimit në Gjilan do të mbyllet përkohësisht. Për shkak të fillimit të punimeve për përshtatjen e këtij institucioni sipas standardeve dhe rregullave daneze të sistemit korrektues ka filluar transferimi i të burgosurve dhe stafit të qendres. Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, përmes një deklarate me shkrim.
“Për këtë arsye, të burgosurit dhe stafi do të transferohen në institucione të tjera korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Procesi i transferimit po realizohet sipas planit operativ dhe pritet të përfundojë brenda ditës”- thuhet në përgjigjen e Gashit.
Ndërkohë, Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se është informuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për fillimin e procesit të mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.
Sipas njoftimit të Odës, transferimi i personave të privuar nga liria drejt institucioneve të tjera korrektuese ka nisur dhe do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Për këtë arsye, Oda u ka bërë thirrje avokatëve që përfaqësojnë persona të privuar nga liria, të cilët deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, që paraprakisht të verifikojnë institucionin korrektues ku ndodhen klientët e tyre para se të ndërmarrin vizita apo veprime procedurale.
“Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit në kohë të komunitetit të avokatëve dhe të lehtësimit të komunikimit me klientët gjatë kësaj periudhe tranzitore”- thuhet në njoftimin e lëshuar, më . Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, është ratifikuar më në Kuvendin e Kosovës.
Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 86 deputetë. Kosova dhe Danimarka në dhjetor të vitit 2021 kanë nënshkruar letër-pëlqimin për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. Qeveria e Kosovës pati miratuar më projektligjin për Ratifikimin e këtij traktati. Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.
Aty parashihet që Danimarka të marr në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet të ketë një përfitim prej mbi 200 milionë euro.
