Thomas Tuchel ka dhënë një përditësim për gjendjen e Declan Rice, pasi mesfushori u pa duke çaluar gjatë fitores së Anglisë 4-2 ndaj Kroacisë në Kupën e Botës. Anglia e nisi në mënyrë perfekte turneun nën drejtimin e Tuchel, duke marrë tri pikë të rëndësishme ndaj një rivali të fortë si Kroacia.
Megjithatë, fitorja u shoqërua me shqetësim për Rice, i cili u zëvendësua në minutën e 72-të dhe u pa duke ecur me vështirësi drejt bankinës. Mesfushori i Arsenalit zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke dhuruar një asistim dhe duke krijuar katër raste për bashkëlojtarët e tij. Ai ishte gjithashtu i rëndësishëm në kontrollin e lojës, me 89 për qind saktësi në pasime.
Pas ndeshjes, Tuchel sqaroi se nuk donte të rrezikonte me lojtarin. “Declan pati disa humbje të pazakonta topi dhe pashë pak shqetësim tek ai. E pyeta dhe më tregoi menjëherë pjesën e poshtme të shpinës dhe pjesën e sipërme të muskulit të pasmë të kofshës, ku ndiente shqetësim” , deklaroi trajneri gjerman për ITV. “Nuk doja të merrja asnjë rrezik.
Nuk dua kurrë ta nxjerr Declanin nga loja, por ishte momenti për ta mbrojtur. Reece James e zëvendësoi shumë mirë në mesfushë dhe zhvilloi një ndeshje fantastike. Shpresoj të mos jetë asgjë serioze. Declan më siguroi në fund se është mirë. Do të kujdesemi për të dhe nuk mendoj se ka arsye të madhe për shqetësim”, shtoi Tuchel.
Edhe vetë Rice e qetësoi situatën pas ndeshjes, duke thënë se ndihet “shumë mirë”. Megjithatë, ai pranoi se ky shqetësim e ka ndjekur për një kohë të gjatë dhe se e kishte penguar edhe gjatë pjesës së dytë të sezonit me Arsenalin. Kjo mund të jetë një arsye për kujdes te tifozët anglezë, pasi Rice është një nga lojtarët kyç në planet e Tuchel.
Anglia synon të fitojë Kupën e Botës 60 vjet pas triumfit të saj të parë, ndërsa trajneri pritet të menaxhojë me kujdes minutat e mesfushorit gjatë turneut.
