Hendbolli i Kosovës është para një kthese vendimtare. O reformohet sot, ose nesër do të jetë tepër vonë. Nuk mund të flasim për zhvillim kur klubet përballen me mungesë infrastrukture, krizë financiare dhe vështirësi për të mbuluar edhe nevojat më elementare. Në këto kushte, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi klubet.
Edhe Federata duhet ta pranojë se modeli aktual ka nevojë për ndryshime rrënjësore. Shumë klube drejtohen nga njerëz që nuk janë aty për meritë, por për lidhje, interesa apo afërsi me drejtues të caktuar. Hendbolli nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi servilizëm.
Ka nevojë për profesionistë, për ish-hendbollistë dhe njerëz që e njohin këtë sport, që kanë përjetuar sakrificat, dhimbjet dhe sukseset e tij. Klubet duhet të kenë kryesi të gjera, profesionale dhe transparente, me përgjegjësi ndaj sponsorëve, lojtarëve, tifozëve dhe Federatës. Vetëm kështu mund të ndërtohen klube të qëndrueshme.
Një reformë që duhet të nisë menjëherë është edhe rregullorja për lojtarët e huaj. Klubet mund të kenë deri në 4 lojtarë të huaj, por në fushë të aktivizohen maksimumi 3 njëkohësisht. Ky rregull duhet të mbetet në fuqi të paktën katër vite.
Kjo do t’u japë më shumë hapësirë lojtarëve vendorë, do të rrisë konkurrencën dhe do ta forcojë Kombëtaren me hendbollistë të zhvilluar në Superligën e Kosovës. Nuk mund të ndërtojmë një Kombëtare të fortë pa një ligë të fortë. Nuk mund të kemi klube të forta pa drejtim profesional.
Dhe nuk mund të kërkojmë sukses ndërkombëtar duke injoruar problemet që po e gërryejnë hendbollin nga brenda. Ky është momenti për vendime të guximshme. Për reforma të vërteta. Për njerëz me vizion dhe përgjegjësi. Nëse vazhdohet me të njëjtin ritëm edhe dy vite, shumë klube rrezikojnë të shuhen dhe Superliga do të humbasë identitetin e saj, duke u shndërruar në një ligë amatore.
Hendbolli i Kosovës meriton më shumë. E meritojnë djemtë dhe vajzat që stërviten çdo ditë, trajnerët që punojnë me përkushtim dhe tifozët që ende besojnë. Tani është koha për ndryshime rrënjësore, jo për arsyetime. Autori ka qenë ish anëtar i kryesisë së klubit të hendbollit Istogu (femrat)
