Vllaznia dhe Malisheva do të përballen të enjten e 9 korrikut, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Conference League. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, do të nisë në orën . Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri Edi Martini, i cili është ndalur edhe tek largimi i portierit Pohls dhe Sherif Kallakut.
“Lojtarët që janë, janë pothuajse të gjithë në kontigjentin e duhur fizik. Disa kanë ardhur me vonesë, por gjithsesi janë mirë. Nuk jemi në 100% të çdonjërit, por gjithmonë kjo fazë është pak problematike. Këto lojtarë që kemi aktualisht, janë në gjendje që ta përballojnë ndeshjen. Miqësoret? Aty kemi pasur vetëm 13 lojtarë që ishin nga pjesa e vjetshme.
Nga ndeshja e parë te e fundit treguan rritje. Prapë nuk jemi aty ku duhet. Por edhe pjesa e të rinjve janë munduar, kanë dhënë maksimumin. Kemi marrë shumë nga të rinjtë dhe ekipi B në fazë përgatitore. Na kanë shërbyer. Jemi në proces kolaudimi. Duhet të bëjmë gjithçka për ndeshjen nesër. Ndryshimet? Kohë e shpejtë, normale që duan kohën e tyre që të kolaudohen me ekipin.
Ndryshe kanë luajtur me ekipe të tjera, gjejnë model ndryshe këtu te ne. Me kalimin e kohës do të bëhen një me ekipin, pavarësisht se për momentin nuk janë të shkrirë me skuadrën. Kur kam shkuar në fazë përgatitore kam qenë i qetë. Që me datë 18 të muajit tjetër është bërë pagesa. Nuk e di për cilën arsye dhe si janë punët, nuk është fusha ime dhe nuk di ta komentoj.
Di që është hapur merkato dhe mendoj se gjithçka do jetë në rregull. Marku? Nuk e di. Me thënë të drejtën nuk jam marrë fare me këtë punë. I kam menduar të gjithë skenaret e mundshme, me dhe pa ekip të plotë. Më del për detyrë që të shoh fushën e lojës. Ata lojtarë që do jenë të gatshëm, do marrim maksimumin, këtë di të garantoj. Për pjesën tjetër nuk e kam idenë si.
Sa lojtarë do jenë nesër? Unë shpresoj që do të jenë të gjithë të gatshëm. Merkato në orën e fundit është zhbllokuar, pagesat janë bërë 1 muaj përpara. Nuk e di se si. Megjithatë do të jem i gatshëm për të dy skenaret. Sherif Kallaku? Unë kam që me datë 8 që kam filluar stërvitjen dhe nesër është ndeshja . Pothuajse një muaj përpara. Vllaznia e ka mirëpritur, e ka dashur.
Dhe ka dhënë maksimumin e vet. Vjen një moment që me me zor nuk mund të mbash askënd. Malisheva? Nuk e kisha dëshirë që të përballesha me ekip shqiptar. Ky është fati i shortit. Ishte ekipi më i mirë i mundshëm nga të gjitha ekipet që mund të na qëllonin. Ndeshje që do jetë e fortë, e luftuar dhe do e kërkojmë me ngulm kualifikimin. Brdariç?
Tomasi e njeh mirë ambientin dhe shumicën e lojtarëve tonë. Është favor për të. Gjithsesi ka dhe lojtarë të rinj që kemi marrë. Megjithatë, ne do bëjmë të pamundurën tonë. Malisheva? Ka bërë shumë lëvizje lojtarësh. E kam parë në opinionin publik, nëpër gazeta, që është trumbetuar me të madhe që i kanë ikur shumë lojtarë.
Faktikisht ekipin e ka më të mirë se sa e ka pasur me lojtarët që ka pasur. Ka bërë shumë blerje dhe prurje, janë më të fortë se vjet. Tifozët e Malishevës? Janë të mirëpritur. Ne kemi pritur këdo, aq më tepër ato tifozë shqiptarë. Janë njësoj si ne, janë në vendin e tyre. Pse mos t’i presim dhe respektojmë në maksimum. Rëndësia e tifozëve të Vllaznisë? E rëndësishme në maksimum.
Djemtë kanë nevojë për ta. Dhe unë jam akoma i zhgënjyer nga titulli kampion që humbëm. Janë të mërzitur, bashkë me tifozët jemi në procesin e mërzisë, akoma nuk na ka dalë e keqja. Prania e tifozëve në stadium gjithmonë vlen, ato janë që përkrahin, i japin zemër ekip. Dhe ata që në ditë të mira dhe këqija duhet të jenë afër Vllaznisë. Këto janë ndeshje shumë të ekuilibruara.
Nuk mendoj në asnjë mënyrë që mund të zgjidhet te ndeshja e parë. Te të dyja ndeshjet duhet të jemi të kujdesshëm. Janë dy takime, pastaj vjen eliminimi. Është ndeshje që nuk mund të luash gjithçka për gjithçka. Duhet të jesh i kujdesshëm dhe të mendosh për ndeshjen tjetër. Jemi shpejt, normalisht që duhen afrime. Qershori është periudha më e keqe për të marrë lojtarë.
Disa janë me pushime, disa kanë luksin që të presin për të zgjedhur. Sidomos lojtarët e mirë. Kemi bërë përpjekje maksimale për të marrë lojtarë, jemi në tratativa me lojtarë të tjerë që shumë shpejt do jenë pjesë e Vllaznisë. Kjo është periudha më e keqe. Jemi munduar të bëjmë maksimumin për të mbërritur te kjo ndeshje që kemi nesër.
Besoj se do e bëjmë ekipin më të mirë se vitin që shkoi. Kalimi i turit? Jetik jo, i rëndësishëm po. Në aspektin moral është i nevojshëm dhe financiar. Më tepër te ana ekonomike, se të kualifikohesh janë disa të ardhura më tepër që mund t’i përdorësh për të blerë lojtarë. Ne nuk mund të pretendojmë që të fitojmë një kupë të tillë. Sa më larg të shkojmë, aq më mirë.
Të bëjmë yzmetin që nesër, pastaj ndeshjen e dytë të presim. Pohls është pothuajse i larguar nga ekipi. Nuk ka dëgjuar që të dalë në stërvitje. Ka kërkesë nga Sherif Tiraspol. Më vjen keq sepse kishim investuar tek ai djal. Më vjen keq, por e thashë se me zor nuk mund të mbajmë askënd. Ata kishin kontrata 1+1. Tani janë pothuajse të shitur. Krymi?
Nuk e di, për mua është kapitull i mbyllur. Unë kam një vit përpara, lojtarët që kanë ikur nga Vllaznia nuk kam qejf t’i diskutoj”, u shpreh trajneri Edi Martini.
