Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Universiteti i Prishtinës ka regjistruar rreth 1 mijë aplikime më shumë për studime bachelor krahasuar me vitin e kaluar. Më shumë se 7 mijë kandidatë kanë konkurruar për mbi 5 mijë e 600 vende. Interes më të madh maturantët kanë shfaqur për programet e Mjekësisë dhe atë për Inxhinieri Kompjuterike e Softuerike.
E pak interesim është shfaqur sërish për programet e shkencave matematike-natyrore dhe programet e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Rreth një mijë aplikime më shumë për regjistrim në programet studimore ka pranuar këtë vit Universiteti i Prishtinës krahasuar me vitin e kaluar.
Interesimin më të madh maturantët e kanë shfaqur për programet e Mjekësisë, ku për një vend të lirë studimi në këtë njësi akademike, kanë aplikuar pesë maturantë. Edhe Inxhinieria Kompjuterike dhe Softuerike ka zgjuar interesimin e të rinjve.
Prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore, Majlinda Gjelaj, ka bërë të ditur se vetëm Fakulteti i Mjekësisë ka pranuar mbi 2 mijë e 100 aplikime, për 462 vende të lira.
“Në studimet bachelor ne do të pranojmë mbi 5,600 studentë, ndërkaq këtë vit vërehet një rritje më e madhe se vitin e kaluar e aplikimeve nga maturantët të cilët këtë vit kanë aplikuar rreth 7,100 aplikantë në studime bachelor.
Sikurse edhe vitet e kaluara, interesimi më i madh ka qenë në Universitetin e Prishtinës, vazhdon të jetë interesimi për me studiu në Fakultetin e Mjekësisë, konkretisht në këtë njësi akademike kanë aplikuar mbi 2.100 aplikantë, të cilët synojnë të bëhet profesionist të shëndetit”, ka thënë prorektorja Gjelaj.
Sipas saj, pak interesim është shfaqur për programet e Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe për disa programe në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. “Vërehet një rënie e interesimit për të studiuar në programet e Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Ne jemi duke punuar përmes disa mekanizmave të brendshëm të cilësisë që të bëjmë reformim të programeve, të cilat nuk janë me shumë interes për të rinjtë në kohën e sotme, përkundër faktit që tregu i punës ka nevojë të madhe të kemi veterinar dhe agronom të kualifikuar në UP”, ka thënë prorektorja Gjelaj. “Është një rënie e interesimit në nivel botëror për të studiuar në shkencat natyrore.
Për numrin e pozitave që ne kemi shpallur duket se ka aplikime mjaftueshëm për t’u bërë grupet e nevojshme, sipas rregullores së UP-së”. Por njohësi i arsimit, Ismet Potera, vlerëson se mungesa e interesimit për shkencat natyrore lidhet edhe me mënyrën se si ato mësohen në shkolla.
“Vetë testi i maturës dhe ai i arritshmerisë po tregojnë që pikërisht në këto lënde është rezultati jo i kënaqshëm. Kështu që kjo ndërlidhet ndoshta edhe me këtë se si ne i mësojmë këto shkenca dhe si u qasemi këtyre shkencave në shkollë.
Këtu duhet të mendohet më thellësisht se a vërtet janë këto shkenca aq të vështira për t’u përvetësuar apo duhet të bëhen ndryshime në qasjen e mësimdhënësve apo në programet e fakultetit. Është pak paradoksale se si këto lënde janë më pak të pëlqyera nga nxënësit ndërsa në vendet tjera janë lëndët me më së shumti perspektivë”, ka thënë Potera.
Universiteti i Prishtinës këtë vit ka pranuar aplikime edhe nga 15 të rinj nga komunitetet e arbëreshëve të Italisë, arbneshëve të Zarës, shqiptarëve të Turqisë dhe pjesëtarëve të diasporës me prejardhje nga Kosova.
Konkursi për pranimin e studentëve në nivelin bachelor dhe master, është hapur më 29 qershor nga universiteti më i madh publik në Kosovë, ndërsa është mbyllur të martën më 7 korrik. Bazuar në të, ky universitet në vitin e parë të studimeve themelore – baçelor, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2026/2027, do të regjistrojë 5663 studentë të rregullt.
Të drejtë konkurrimi për regjistrim në studimet themelore kanë pasur të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe kanë kaluar testin e Maturës Shtetërore. Universiteti do të regjistrojë deri në 12 për qind, përkatësisht deri 659 studentë të rregullt nga komuniteti joshumicë.
Kuota prej 12 për qind e vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti joshumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale, sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.
Në universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, në kuadër të numrit të përgjithshëm të studentëve, mund të pranohen deri në 2 për qind, përkatësisht deri në 115 kandidatë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, deri në 2 për qind, përkatësisht deri në 116 nga Maqedonia e Veriut dhe Republika e Shqipërisë dhe deri në 1 për qind, përkatësisht deri në 71 kandidatë nga Mali i Zi.
Me vendim të Senatit, e me aprovim të Ministrisë, UP-ja në kuadër të numrit të përgjithshëm të studentëve, u ka ofruar kuota të vendeve të rezervuara edhe pjesëtarëve të komunitetit të arbëreshëve të Italisë dhe arbneshëve të Zarës deri në 1 për qind, përkatësisht deri 64 kandidatë, shqiptarëve të Turqisë deri në 1 për qind, përkatësisht deri 62 kandidatë dhe mërgatës shqiptare me prejardhje nga Kosova deri në 2 për qind përkatësisht deri 112 kandidatë.
Për nxënësit që kanë diplomë për kryerjen e shkollës së mesme dhe e kanë dhënë me sukses provimin e maturës: Numri maksimal i pikëve është 100 pikë: Suksesi në shkollën e mesme deri në 30 pikë; Suksesi në maturë deri në 30 pikë dhe; Suksesi në provimin pranues deri në 40 pikë. Provimi pranues nuk do të mbahet në të njëjtën ditë në të gjitha fakultetet.
Bazuar në konkurs, të mërkurën ai është organizuar në Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, atë të Edukimit Fizik dhe i Sportit, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në atë të Shkencave Matematike-Natyrore, në Fakultetin Juridik, në atë të Arteve, të Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe në Fakultetin e Arkitekturës.
Ndërkaq, të enjten, organizohet provimi pranues në Fakultetin e Filologjisë, atë të Ekonomisë, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Ndërkaq, Fakulteti i Mjekësisë organizon provimin më 11 gusht, duke filluar nga ora .
