Bruno Guimaraes ka reaguar publikisht për herë të parë pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës 2026. Mesfushori brazilian publikoi një letër të gjatë dhe emocionale në rrjetet sociale, ku mori përgjegjësi për momentet e vështira të turneut dhe rrëfeu dhimbjen që përjetoi pas humbjes së penalltisë ndaj Norvegjisë.
Tre ditë pas disfatës 2-1 dhe eliminimit të Brazilit në raundin e 16-të, futbollisti i Newcastle United tregoi se e kishte pasur të vështirë të gjente fjalët e duhura për t’iu drejtuar tifozëve. “E kam shkruar dhe e kam fshirë këtë mesazh kaq shumë herë sa që kam humbur numërimin”, e nis letrën futbollisti i Newcastlet, para se të shpjegojë pse ndihet i detyruar të flas hapur.
“Gjithmonë kam qenë këtu për fitoret, kështu që nuk ka asgjë më të drejtë sesa të shfaqem tani dhe të mos fshihem për të folur”. Guimaraes pranoi se momenti i penalltisë së humbur e ka goditur rëndë, duke e cilësuar eliminimin si një nga përjetimet më të dhimbshme të jetës së tij.
“Futbolli, i cili më ka dhënë gjithçka që kam, tani është përgjegjës për dhimbjen më të madhe të 28 vjetëve të jetës sime”, ka shtuar mesfushori. Megjithatë, në mesazhin e tij ai ndau edhe një moment shumë personal, që e ndihmoi të shihte situatën ndryshe pas kthimit në shtëpi.
“Gjëja më e pabesueshme nga të gjitha ishte kthimi në shtëpi pas ditës më të trishtuar të jetës sime dhe gjëja e parë që më thanë fëmijët e mi kur u zgjova ishte: ‘Babi, a do të luajmë me top?’”. Fjalët e fëmijëve të tij i dhanë Guimarãesit një tjetër këndvështrim për futbollin dhe për mënyrën se si duhet përballuar zhgënjimi.
Një frazë që e bëri të kuptonte se “pavarësisht nëse ka ditë të këqija apo të mira, futbolli do të jetë gjithmonë dashuria e madhe”.
