Shpërndaje në: Reshjet e shiut dhe paralajmërimet për stuhi kanë detyruar Filharmoninë e Kosovës që ta shtyjë për një ditë koncertin përmbyllës të sezonit artistik 2025/2026. Mbrëmja koncertale “Americana”, e planifikuar të mbahej të mërkurën në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në orën , do të zhvillohet të enjten, më 9 korrik, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.
Vendimi është bërë publik nga Filharmonia e Kosovës përmes një njoftimi, ku është bërë e ditur se ndryshimi i datës është marrë për shkak të parashikimeve të motit, të cilat sinjalizojnë reshje shiu dhe stuhi në kohën kur ishte planifikuar koncerti.
Sipas njoftimit, prioritet kanë qenë siguria e publikut, artistëve dhe stafit, si dhe garantimi i kushteve të përshtatshme për zhvillimin e koncertit. “Të gjitha rezervimet mbeten të vlefshme për koncertin e datës . Ky vendim është marrë për shkak se parashikimet e motit për kohën e planifikuar të koncertit parashohin reshje shiu dhe stuhi.
Duke pasur prioritet sigurinë e publikut, artistëve, stafit, si dhe për të garantuar një përvojë sa më të mirë artistike, koncerti shtyhet për një ditë”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Institucioni u ka bërë thirrje dashamirëve të muzikës që t’i bashkohen koncertit të enjten mbrëma, ku Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellë një program tërësisht të frymëzuar nga muzika amerikane. Të martën mbrëma, në të njëjtën skenë ku parashihej të interpretonte sonte, ka zhvilluar provën gjenerale për koncertin “Americana”.
Koncerti është konceptuar si ngjarja përmbyllëse e sezonit artistik 2025/2026 dhe njëherësh si event me të cilën shënohet 250-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç bëhet me dije, programi është ndërtuar si udhëtim nëpër traditën muzikore amerikane, duke përfshirë disa prej krijuesve më të rëndësishëm të saj.
Publiku pritet të dëgjojë vepra të kompozitorëve të njohur amerikanë, mes tyre Leonard Bernstein dhe George Gershwin, emra që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën simfonike dhe teatrin muzikor të shekullit XX. Përmes këtij repertori, Filharmonia synon të sjellë atmosferën karakteristike të muzikës amerikane, ku ndërthuren ritmet e jazz-it, energjia e Broadway-t dhe tradita simfonike.
