Shorti i raundit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës ka vendosur përballje interesante për klubet nga Kosova, duke sjellë sfida të forta që në nisje të garave evropiane. Malisheva, si nënkampione e Kosovës, do të ketë përballë Vllazninë e Shkodrës në një duel që pritet të jetë i hapur dhe konkurrues. Nga ana tjetër, Ballkani është shortuar ndaj skuadrës uellsiane Connah’s Quay Nomads, një kundërshtar që sjell eksperiencë në garat evropiane. Të dy ekipet kosovare ndeshjet e para do t’i zhvillojnë në transfertë, më 9 korrik, ndërsa sfidat e kthimit do të luhen një javë më vonë, më 16 korrik. Në një tjetër zhvillim, Dukagjini, si fitues i Kupës së Kosovës, e nis aventurën e tij evropiane nga raundi i dytë kualifikues, ku do ta mësojë kundërshtarin në ditët në vijim. Ndërkohë, edhe skuadrat e tjera të rajonit kanë mësuar fatin e tyre. Elbasani do të përballet me gjigantët bjellorusë BATE Borisov, ndërsa Shkëndija është shortuar kundër Europa FC nga Gjibraltari. Deçiqi ndërkohë, do të sfidojë ekipin letonez Liepaja./ Telegrafi
