Shpërndaje në: 15 persona janë arrestuar, nëntë lokale të muzikës live dhe 10 qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative gjatë një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës, të zhvilluar në kuadër të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026 – Qershor 2026”.
Policia njoftoi se operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in, si dhe me institucione vendore, në periudhën 8-. Gjatë aksionit janë inspektuar 59 lokale të muzikës live në të gjithë Kosovën, ku janë identifikuar 420 persona, prej tyre 234 shtetas të huaj.
Gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, përfshirë 45 shtetas të huaj. Nga këto qendra, 10 janë mbyllur për shkelje administrative.
Policia bëri të ditur se gjatë zbatimit të planit nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.
Megjithatë, janë evidentuar shtatë raste të dyshuara për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”, ku janë arrestuar shtatë gra – katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës – të cilat u hasën duke kërkuar lëmoshë me fëmijët e tyre në rrugë dhe sheshe. Në total janë përfshirë 13 fëmijë, rastet e të cilëve janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale.
Gjithashtu, janë evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në kuadër të eskortës, ku janë arrestuar tetë persona, katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.
Sipas Policisë, të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet e muzikës live, qendrat e masazhit dhe në aktivitetet e eskortës janë intervistuar për të verifikuar nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit, por nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.
