Shpërndaje në: Momçillo Perishiq, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, u lirua nga burgu më 8 korrik, pasi vuajti më shumë se dy të tretat e dënimit prej katër vjetësh për spiunazh. Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Novak Llukiq. “Është miratuar lirimi me kusht, pasi ai vuajti dy të tretat e dënimit.
Në burg ka kaluar gati tre vjet”, tha Llukiq. Ai shtoi se bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd, të marrë më 25 qershor. Gjykata e Apelit në Beograd e dënoi Perishiqin me katër vjet burg, me vendim të formës së prerë, në vitin 2022.
Ai u gjet fajtor pasi, në mars të vitit 2002, në një motel pranë autostradës Ibarska në Beograd, i dorëzoi një dokument sekret ushtarak një zyrtari të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, shtetasit amerikan John Neighbour. Bëhej fjalë për procesverbalin e një mbledhjeje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të mbajtur në vitin 2001.
Dokumenti mbante klasifikimin “Sekret ushtarak – tepër konfidencial”. Dokumenti u gjet te diplomati amerikan gjatë ndërhyrjes së përfaqësuesve të shërbimit të sigurisë së Ushtrisë së Jugosllavisë dhe policisë ushtarake. Në kohën e arrestimit, në vitin 2002, Perishiq ishte zëvendëskryeministër i Serbisë.
Fillimisht, Gjykata e Lartë në Beograd e kishte dënuar atë me tre vjet burg, por më vonë vendimi u ndryshua në procedurën e apelimit. Perishiq ishte i akuzuar edhe nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, ku u dënua me 27 vjet burg për krime lufte. Në vitin 2013, Dhoma e Apelit e liroi nga të gjitha akuzat dhe urdhëroi lirimin e tij.
