Kapiteni Granit Xhaka me kombëtaren e Zvicrës festojnë fitoren me penallti me rezultat 4:3 ndaj Kolumbisë dhe kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror në futboll. Pas eliminimit të Kolumbisë nga Zvicra në Kampionatin Botëror, këngëtarja e njohur kolumbiane Shakira reagoi me një mesazh emocional në rrjetet sociale.
Artistja, e cila ndiqet nga rreth 99 milionë ndjekës, shkroi me humor se Zoti nuk ndërhyn në futboll. “Ne dhamë gjithçka dhe është e qartë se Zoti nuk ndërhyn në futboll, sepse përndryshe ne do të ishim kualifikuar në çerekfinale”, shkroi Shakira. Ajo falënderoi futbollistët kolumbianë për paraqitjen e tyre, duke veçuar emocionet e sulmuesit Luis Díaz.
“Këto lot të Lucho Díaz janë lotët e secilit prej nesh, të çdo kolumbiani që bërtet, këndon, feston dhe jeton çdo hap të kombëtares sonë. Edhe pse rezultati nuk përmbushi ëndrrat tona, dua ta falënderoj nga zemra këtë ekip luftëtarësh, që na përfaqësoi me dinjitet dhe na bëri krenarë”.
“Edhe yjet e muzikës latine Maluma dhe J Balvin kishin mbështetur Kolumbinë para ndeshjes me fanellën e kombëtares, shkruan media zvicerane “20min”. Pas eliminimit, J Balvin u bëri thirrje tifozëve të mos e humbin besimin. “Humbja është gjithashtu pjesë e rrugëtimit. Le ta mbështesim skuadrën tonë me të njëjtin krenari, si në ditët e mira, ashtu edhe në ato të vështira.
Fitorja e vërtetë është të mos ndalosh kurrë së besuari” , shkroi ai në Instagram. Në anën tjetër, tifozët e njohur zviceranë festuan me emocione kualifikimin historik të Zvicrës. Moderatorja Christa Rigozzi ndoqi penalltitë me një gotë verë të kuqe në dorë dhe shpërtheu në festë pas suksesit të kombëtares.
Edhe këngëtarja Chiara Castelli tregoi se kishte bërtitur aq fort gjatë penalltive, sa me shaka tha se ndjekësit do ta kishin hequr nga lista e tyre po ta dëgjonin. Influencuesja Yuliya Benza e përjetoi me shumë ankth serinë e penalltive.
Ajo i kishte veshur djalit të saj Malik fanellën dhe pantallonat sportive të Zvicrës, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes shkroi: “O Zot, çfarë torture ishte kjo!” Një mbrëmje të veçantë pati edhe këngëtari latino Loco Escrito, i cili ka rrënjë si zvicerane ashtu edhe kolumbiane. “Dy fanella, dy rrënjë, dy zemra në të njëjtin kraharor. Vamos Colombia.
Hopp Schëiiz”, ishte mesazhi i tij para ndeshjes, duke e ditur se pavarësisht rezultatit do të kishte arsye për të festuar.
