Nga: Augustin Palokaj Shpërndaje në: Në një përpjekje për të bindur vendet anëtare që të hapin grupkapitullin 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë, Komisioni Evropian ka përpiluar një raport shumë pozitivë ku vlerëson se Serbia i ka përmbushur kriteret për hapjen e këtij grupkapitulli.
Në një “notë informuese” Komisioni mes tjerash vlerëson edhe angazhimin e Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën. “Komisioni mund të informojë Këshillin se Serbia vazhdon të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja siç është konfirmuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Përfaqësuesi i posaçëm BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë” thuhet në dokumentin që Komisioni Evropian ua ka dërguar vendeve anëtare ku me një tonë shumë pozitivë për Serbinë bën presion ndaj vendeve anëtare që të hapin kapituj të ri në procesin e negociatave.
Serbia për katër vite nuk ka hapur asnjë kapitull. Dialogu me Kosovën, krahas sundimi të ligjit, është parakusht për avancimin e përgjithshëm të Serbisë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë letër Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht edhe reformat që ka bërë Serbia në fushën e mediave, gjyqësorit dhe në përshtatje me politikën e jashtme.
Kjo letër e Komisionit ka hasur në kritika nga ana e disa shteteve anëtare sepse ato mendojnë se nuk pasqyron realitetin në Serbi. Rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e kapitujve të ri me Serbinë e ka konfirmuar në debat në Parlamentin Evropian edhe komisionerja për zgjerim Marta Kos.
“Në kohën kur vendet e tjera po përparojnë në procesin e anëtarësimit, ne nuk duam që Serbia të mbetet prapa. Për këtë arsye, në dritën e disa zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit, Komisioni ka ripërsëritur rekomandimin drejtuar Këshillit për të hapur Grupkapitullin 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë”, ka thënë Kos.
Krejt ndryshe nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kritereve nga ana e Serbisë, mendon Parlamenti Evropian i cili madje ka kërkuar që asaj edhe t’i ndalen fondet për shkak të problemeve me sundimin e ligjit. Parlamenti Evropian ka kritikuar Serbinë edhe për raportet me Kosovën. Për këtë ka folur edhe Tonino Piculla, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.
“Në vend që të hapë dhe të mbyllë kapitujt e negociatave, qeveria e Serbisë po hap dilema të reja dhe po krijon tensione të reja me fqinjët. Nuk mund të flasim për përparim në dialogun me Kosovën nëse përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë nuk sillen para drejtësisë.
Ne, si Parlament Evropian, duhet të jemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj respektimit të vlerave dhe rregullave. Nuk mund të heshtim përballë prapakthimit në sundimin e ligjit, erozionit të standardeve demokratike dhe ndikimit shkatërrues në stabilitetin e rajonit” ka thënë Piculla.
Parlamenti Evropian kam kritikuar Serbinë edhe për vazhdimin e forcimit të raporteve me Rusinë dhe për presion ndaj mediave.
