Lot lehtësimi – tjetër kapitull i jashtëzakonshëm në karrierën e

0%

Shpërndaje në: Lionel Messi qëndroi në qendër të stadiumit në Atlanta, i “mbuluar” nga lotët. Ai po qante mbi supet e bashkëlojtarëve pasi shtoi një tjetër fitore të jashtëzakonshme në Kupën e Botës, në karrierën e tij po ashtu të jashtëzakonshme. Futbollisti ikonik u shfaq në ekranin gjigant duke shikuar lart i dëshpëruar, pasi Egjipti shënoi për 2:0.

Në atë pikë, çdo lot që Messi mund të kishte derdhur, do të ishte i njëjtë me atë të Cristiano Ronaldos, i cili i bëri një lamtumirë emocionale Kupës së Botës me humbjen e Portugalisë nga Spanja, një natë më herët. Por tek Argjentina u kujdesën që kjo thjesht të mos ndodhte. Shënuan tre gola për 14 minuta dhe bënë një nga rikthimet më të mahnitshme në histori të Kupës së Botës.

Messi është 39-vjeçar dhe shumicën e punëve në fushë i kryen thuajse duke ecur. Por magjia nuk i është zbehur nga kalimi i viteve. Ai shikon. Pret. E ruan energjinë për momentin kur ka rëndësi. Trupi i tij mund të jetë më i ngadalshëm, por truri i Messit mbetet i mprehtë si brisk. Gjenialiteti i tij është i përhershëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhe ai e dëshmoi këtë edhe një herë në mënyrën më dramatike të mundshme. E ktheu Argjentinën në jetë kur Egjipti mund ta ketë menduar çerekfinalen. Messit iu ndal një penallti në pjesën e parë, e katërta nga tetë sa i ka gjuajtur gjithsej në Kampionate Botërore dhe e dyta në Botërorin që ngadalë po i afrohet fundit. Askush nuk ka humbur kaq shumë.

Por kur Egjipti ishte në avantazh 2:0, Messi doli në skenë. Asistoi për Cristiano Romeron që realizoi për 2:1 dhe shënoi më pas për 2:2. Enzo Fernandez e shënoi golin e fitores 3:2 për Argjentinën.

Nga thellësia e dëshpërimit, Messi po hidhej lat në ajër nga shokët e ekipit dhe para tifozëve argjentinas, që qëndruan në stadium për shumë kohë pas fishkëllimës së fundit, duke kënduar e vallëzuar. Kjo në fakt është arsyeja pse lojtarët e tjerë të Argjentinës janë të gatshëm të sakrifikojnë veten për Messin. Ata e dinë se mjeshtri po pret të fitojë ndeshje të Kupës së Botës për ta.

Messi është bërë lojtari i parë që ka shënuar gola në gjashtë ndeshje rresht të fazës nokaut në histori të Kampionateve Botërore. Tani i ka tetë gola në këtë Botëror. Ai ka kontribuar në 16 gola në nëntë ndeshjet e fundit në Kupë të Botës. Ka 13 gola e tri asistime. Argjentina, natyrisht, ka shumë më tepër se Messi. Por ku është Leo Messi, ka shpresë.

Për të dytën ndeshje rresht argjentinasit kanë gjetur mënyrë për të fituar, ndonëse pa shkëlqimin e pritur. Ende më së shumti shpresat e argjentinasve varen te Messi. Dhe lotët e tij treguan se ndonëse në fund të një karriere të mahnitshme, 39-vjeçari nuk është imun ndaj emocioneve që ofron futbolli.

Burimi: Koha