Veliaj kërkon lirimin e menjëhershëm, mbrojtja: Gjykata e Lartë të

0%

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe shqyrtimin në themel të pretendimeve të tij, pa e kthyer çështjen për rigjykim në gjykatat më të ulëta.

Siç raporton Anila Hoxha, në argumentet e paraqitura në kërkesën për rishqyrtim, mbrojtja pretendon se çështja është kryesisht juridike dhe kushtetuese, ndaj Gjykata e Lartë ka kompetencën ta zgjidhë përfundimisht, pasi nuk nevojiten prova të reja apo rivlerësim i fakteve.

Sipas mbrojtjes, gjykata duhet të vlerësojë nëse masa “arrest në burg” vazhdon të jetë e domosdoshme dhe proporcionale, nëse rreziqet procedurale janë argumentuar konkretisht dhe nëse janë shqyrtuar seriozisht masa alternative të sigurisë. Në kërkesë ngrihet edhe çështja e mbajtjes së Veliajt në kafazin prej xhami gjatë seancave gjyqësore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mbrojtja argumenton se kjo praktikë cenon dinjitetin njerëzor dhe bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, duke kërkuar nxjerrjen e tij nga “kafazi” gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore. Një tjetër argument lidhet me mandatin e kryebashkiakut.

Sipas mbrojtjes, Veliaj është zgjedhur për një mandat katërvjeçar, nga qershori 2023 deri në qershor 2027, dhe vijimi i arrestit po e bën praktikisht të pamundur ushtrimin e detyrës. Kjo, sipas saj, nuk prek vetëm lirinë personale të Veliajt, por edhe të drejtën e qytetarëve që kanë votuar për përfaqësuesin e tyre.

Mbrojtja paralajmëron se kthimi i çështjes për rishqyrtim në shkallët më të ulëta do të sillte vonesa të tjera procedurale, duke rrezikuar që çdo vendim përfundimtar të jepej pasi një pjesë e konsiderueshme e mandatit të ishte konsumuar, çka do ta bënte të pamundur rikthimin efektiv të të drejtave të pretenduara si të cenuara.

Për këto arsye, mbrojtja i kërkon Gjykatës së Lartë të ushtrojë kompetencën e saj, të ndryshojë masën e sigurisë dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Erion Veliajt.

Burimi: Bota Sot