Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka shqiptuar 35.265 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë periudhës 1 janar – , përmes stacioneve policore dhe Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor janë ndërmarrë masa të shumta ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë shkelur legjislacionin në fuqi.
Përveç 35.265 gjobave të shqiptuara, Policia ka vendosur edhe 1.632 masa mbrojtëse që përfshijnë ndalimin e drejtimit të automjetit për një periudhë nga tre muaj deri në një vit. Po ashtu, janë shqiptuar 3.047 gjoba të shoqëruara me pikë negative, në përputhje me dispozitat ligjore për sigurinë në komunikacion.
Policia vlerëson se këto masa pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm për zbatimin e ligjit, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Me rastin e sezonit veror, kur numri i automjeteve dhe pjesëmarrësve në komunikacion rritet ndjeshëm, Policia Rajonale e Pejës u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve, motoçiklistëve, çiklistëve dhe këmbësorëve që të respektojnë rregullat e trafikut, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera.
Në të njëjtën kohë, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me Policinë duke raportuar çdo shkelje apo sjellje që mund të rrezikojë sigurinë në komunikacion. “Siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët. Së bashku mund të kontribuojmë për rrugë më të sigurta dhe për ruajtjen e jetës së çdo pjesëmarrësi në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
