Shpërndaje në: Udhëheqësja e krahut të djathtë në Francë, Marine Le Pen, ka konfirmuar se do të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ajo ka njoftuar se do të apelojë vendimin e Gjykatës së Apelit që ia hapi mundësinë e kandidimit, por nën mbikëqyrje elektronike. “Nuk mund të kandidoj me një pajisje”, ka thënë liderja e Tubimit Kombëtar për “French TV”.
“Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të dëshmuar pafajësinë time”. E pyetur se në çfarë skenari do të tërhiqej nga gara, Le Pen mohoi gjithçka. “Nuk ka. Jam këtu sonte të tregoj se jam kandidate për zgjedhjet e 2027-s”, ka thënë ajo duke shtuar se fushata e saj është për “rilindjen e Francës”.
Më herët gjatë ditës, Gjykata e Apelit në Paris ka lënë në fuqi fajësinë e politikanes franceze dhe njërës nga figurat më të njohura të së djathtës në Francë, në çështjen e keqpërdorimit të fondeve të Parlamentit Evropian, por e ka zbutur dënimin e saj.
Sipas vendimit, ndalimi për të ushtruar funksione publike është reduktuar në mënyrë efektive në 15 muaj, ndërsa 30 muajt e tjerë janë pezulluar. Duke qenë se ndalimi ka nisur më , ai pritet të përfundojë përpara zgjedhjeve presidenciale franceze të planifikuara për prillin e vitit 2027, duke i hapur rrugën Le Pen që të kandidojë.
Gjykata ka ulur gjithashtu dënimin me burg në tre vjet, nga të cilat dy janë me kusht, ndërsa një vit do të kryhet nën mbikëqyrje elektronike me byzylyk elektronik. Gjoba prej 100 mijë eurosh mbetet në fuqi.
Çështja lidhet me përdorimin e fondeve të Parlamentit Evropian gjatë periudhës 2004–2016 për të paguar punonjës të partisë së saj, Tubimi Kombëtar, të cilët sipas prokurorisë dhe gjykatës nuk kryenin detyra si asistentë parlamentarë, por punonin për partinë në Francë. Marine Le Pen i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke këmbëngulur se fondet janë përdorur në mënyrë të ligjshme.
Le Pen, ka kandiduar tre herë për presidente të Francës, në vitin 2012, 2017 dhe 2022. Në zgjedhjet e vitit 2022, ajo arriti në balotazh kundër Emmanuel Macron, por u mposht, duke marrë rreth 41.5% të votave, rezultati më i mirë ndonjëherë për partinë e saj në një garë presidenciale.
