Aktivisti Arbër Lleshi ka denoncuar gjatë protestës së 38-të atë që ai e cilësoi si presion ndaj familjarëve të protestuesve, duke pretenduar se prindër të disa pjesëmarrësve janë përballur me pasoja për shkak të angazhimit të tyre.
“Kemi parë sot edhe dje që protestuesit, të cilët janë liruar nga masa e paraburgimit, kanë filluar të përndiqen prindërit e tyre sepse punojnë në administratë”, tha Lleshi. Ai paralajmëroi se çdo masë ndaj familjarëve të protestuesve për shkak të pjesëmarrjes së tyre në tubime do të përballet, sipas tij, me reagimin e qytetarëve.
“Nëse dikush do të guxojë të marrë masa dhe të pushojë nga puna prindërit apo familjarët e protestuesve, vetëm për shkak se ata kanë dalë në protestë, do ta shohin forcën e të gjithë qytetarëve, do ta shohin forcën e ligjit. Drejtësia mund edhe të vonojë, por nuk do të harrojë”, u shpreh aktivisti.
