Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Shumica e nxënësve të klasave të nënta kanë treguar rezultat të pamjaftueshëm në Testin e Arritshmërisë.
Njohës të arsimit kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë edhe të këtyre rezultateve për shkak të parregullsive që kanë shoqëruar procesin e testimit Pas publikimit të rezultateve të Testit të Arritshmërisë, të cilit i janë nënshtruar nxënësit e klasave të nënta, janë hedhur dyshime për besueshmërinë e këtij procesi të vlerësimit.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se arritshmëria mesatare e përgjithshme në nivel të Kosovës është 48.35 për qind. E, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se është e vështirë të vlerësohet nëse rezultatet pasqyrojnë realisht nivelin e dijes së nxënësve.
“Ki një klasë atje që ka pasur një mbikëqyrje më rigoroze dhe ka një rezultat më të ulët dhe në anën tjetër ki një klasë që nuk ka pasur një mbikëqyrje fare, por që ka rezultat më të lartë. Këto diskrepanca në administrim na sjellin diskrepancë në rezultate”, ka thënë Qehaja. Arritshmëria më e ulët është evidentuar në Kimi me 37.68 për qind dhe Matematikë me 37.93 për qind.
Ndërkaq, nxënësit kanë treguar rezultate më të mira në gjuhën angleze, histori dhe gjuhë shqipe. “Analiza e rezultateve sipas lëndëve, tregon se arritshmëria më e lartë është shënuar në Gjuhën angleze 65.97%, Histori 62.23% dhe Gjuhë shqipe 54.63%.
Ndërkaq, arritshmëria më e ulët është evidentuar në Kimi 37.68% dhe Matematikë 37.93%, pasuar nga Biologjia 40.83%, Fizika 45.33%, Informatika 47.87% dhe Gjeografia 47.84%”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Sipas ministrisë, rezultatet e testit ofrojnë një pasqyrë të nivelit të përvetësimit të kompetencave nga nxënësit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët dhe do të shërbejnë si bazë për identifikimin e prioriteteve dhe planifikimin e masave në përmirësimin e cilësisë në arsim. Por, Qehaja ka thënë se fillimisht duhet të vlerësohet nëse rezultati është valid dhe i besueshëm.
“Këto rezultate duhet të analizohen, na nevojiten analiza më të sakta statistikore për me kuptu se çka nënkuptojnë dhe kush është problemi që po sjell në këtë rezultat dhe në këtë performancë, veçanërisht në lënde specifike sikurse gjuha, matematika dhe shkencat”, është shprehur ai. Rezultati ka nxitur edhe reagime të politikanëve.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka theksuar se testi nuk përmbush qëllimin për të cilin është krijuar dhe ka kërkuar që ai më të mos organizohet. “Testi është duke dështuar tash e sa vite, sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë, derisa në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë.
Mbi të gjitha nuk prodhon rezultate reale, por false për kualitetin e arsimit dhe të dijes. Ky test është falsifikim i plotë”, ka thënë Gjini. Për heqjen e testit ka insistuar edhe këshilli i prindërve në fillim të vitit, e në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se kërkesa është në shqyrtim, ndërsa vendimi do të merret vitin e ardhshëm.
Testit të Arritshmërisë këtë vit i janë nënshtruar 21 mijë e 982 nxënës. Vetëm pak minuta pas nisjes, pyetjet e më pas edhe përgjigjet janë shpërndarë në platforma të ndryshme online.
