Pacientëve nuk u hynë në punë pajisja pa material

0%

Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Një pajisje e siguruar për trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda të veshkave vazhdon të mos shfrytëzohet me kapacitet të plotë në Klinikën e Nefrologjisë. Ndonëse aparati i plasmaferezës është blerë, mungesa e materialit shpenzues ka bërë që pacientët të mos kenë qasje të rregullt në këtë procedurë.

Për të njëjtën arsye vazhdon të mos jetë në funksion të plotë edhe shërbimi për biopsi renale Klinika e Nefrologjisë u pajis me aparatin e plasmaferezës vitin e kaluar, por pajisja ende nuk është vënë në funksion të plotë. Plasmafereza është një procedurë që largon nga gjaku plazmën, pjesën e lëngshme që mund të përmbajë substanca të dëmshme, si dhe autoantitrupa.

Në Klinikën e Nefrologjisë kjo procedurë është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me sëmundje të rënda autoimune të veshkave dhe gjendje të tjera që kërkojnë këtë trajtim. Sipas burimeve të KOHËS, pajisja nuk është duke u shfrytëzuar rregullisht për shkak të mungesës së materialit shpenzues.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

KOHA i ka dërguar SHSKUK-së pyetje lidhur me numrin e procedurave të kryera, arsyet e mosshfrytëzimit dhe planet për ta vënë pajisjen në funksion të plotë. Por, edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga dërgimi i pyetjeve, SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje.

Të hënën, përmes një postimi në Facebook, drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje, duke e arsyetuar vendimin me presionet e vazhdueshme nga SHSKUK-ja. Në të njëjtin njoftim, ajo ka konfirmuar se shërbimi ende përballet me mungesë të materialit shpenzues.

“Ky shërbim tashmë është funksional, megjithatë ende nuk është siguruar materiali shpenzues dhe trajnimet e nevojshme të stafit për modalitetet e tjera të trajtimit”, ka shkruar Mimoza Berbatovci – Ukimeraj, tashmë ish-drejtoreshë e Nefrologjisë.

Furnizimi me këtë pajisje ishte planifikuar që në vitin 2023, kur Ministria e Shëndetësisë kishte hapur një tender me 20 lote për furnizim me pajisje mjekësore për klinikat e QKUK-së. Loti i tetë kishte të bënte pikërisht me furnizimin e aparatit të plasmaferezës. Vlera e parashikuar e këtij loti në dosjen e tenderit ishte rreth 90 mijë euro dhe për të ishte shpallur edhe operatori fitues.

Në garë kishin marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori ekonomik i eliminuar pati paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në mungesë të materialit shpenzues ka mbetur pezull edhe një tjetër projekt i Klinikës së Nefrologjisë.

Sipas ish-drejtoreshës së kësaj klinike, janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për fillimin e biopsisë renale, por funksionalizimi i plotë i këtij shërbimi ende varet nga sigurimi i materialit shpenzues në Institutin e Patologjisë. Ukimeraj në njoftimin e dorëheqjes ka bërë të ditur se të bllokuara kanë mbetur edhe projekte të tjera në këtë klinikë.

Sipas saj, projekti për renovimin e Shërbimit të Hemodializës është i gatshëm për të nisur, por zbatimi po vonohet pasi ende nuk është marrë vendim për zhvendosjen e pacientëve gjatë periudhës së punimeve.

Burimi: Koha