Lisandro Martinez ka kaluar nga dyshimet për të ardhmen e tij në një nga figurat më të rëndësishme të Argjentinës në Kupën e Botës 2026. Mbrojtësi i Manchester Unitedit ishte protagonist në fitoren ndaj Kepit të Gjelbër, duke asistuar për golin e Lionel Messit dhe më pas duke shënuar vetë për rezultatin 2-1.
Një paraqitje e jashtëzakonshme për një qendërmbrojtës, sidomos duke pasur parasysh vështirësitë që kishte kaluar para turneut. Martinez kishte menduar edhe të tërhiqej nga futbolli pas një periudhe të vështirë me dëmtime. “Mendova të tërhiqesha. Nuk mund ta duroja më dhimbjen”, kishte deklaruar ai.
Më 3 shkurt të vitit 2025, mbrojtësi pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar në gjurin e majtë dhe u rikthye në fushë pas 292 ditësh rehabilitim. Përveç këtij dëmtimi, ai pati edhe probleme të tjera fizike dhe një pezullim që ia vështirësuan gjetjen e ritmit te Manchester Unitedi.
Megjithatë, pasi siguroi një vend në listën e Lionel Scalonit për Botërorin, 28-vjeçari iu përgjigj pozitivisht besimit të trajnerit, edhe falë mbështetjes së familjes së tij. Për një futbollist argjentinas, të luash për kombëtaren është një nga emocionet më të mëdha.
Me Cristian Romeron si titullar të padiskutueshëm në qendër të mbrojtjes, vendi tjetër ishte në garë mes Martinezit dhe veteranit Nicolas Otamendi. Por ndryshe nga pritshmëritë fillestare, Scaloni vendosi t’i besojë mbrojtësit të Manchester Unitedit, duke lënë në stol Otamendin.
Ky vendim kishte për qëllim të sillte më shumë qarkullim të topit dhe një dalje më të mirë nga mbrojtja, falë pranisë së një qendërmbrojtësi mëngjarash. Ndikimi i Martinezit në lojën e Argjentinës ishte më i madh nga sa pritej.
Aftësia e tij për të nisur aksionet nga prapa, pasimet e sakta dhe leximi i lojës i kanë dhënë më shumë shpejtësi dhe qartësi fazës së ndërtimit të sulmeve të “Albiceleste”. Martinez vazhdon të jetë një nga protagonistët e Argjentinës dhe synon të luajë një rol të rëndësishëm edhe në ndeshjet e ardhshme.
Pavarësisht se nuk ka të njëjtin famë si Emiliano Martinez apo Lautaro Martinez, qendërmbrojtësi ka treguar se mund të jetë vendimtar edhe në fazën sulmuese. Ai njihet në Argjentinë jo vetëm për karakterin luftarak në fushë, por edhe për angazhimin e tij shoqëror.
Martinez ka shprehur mbështetje për ruajtjen e kujtesës historike në vendin e tij dhe ka marrë pjesë në diskutime për rolin social të klubeve sportive në Argjentinë. Festimi i golit ndaj Kepit të Gjelbër, të cilin ia dedikoi figurës së njohur të rokut argjentinas “El Indio” Solari, u kthye në një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij.
Nga një lojtar që mendoi të largohej nga futbolli, Lisandro Martinez tashmë është bërë një nga zërat kryesorë të një Argjentine që ëndërron të shpallet sërish kampione e botës.
