Gazetari Robert Papa ka komentuar amendamentin e paraqitur nga kongresmeni amerikan Joe Wilson, i cili kërkon raport nga agjencitë e inteligjencës së SHBA për situatën e narkotrafikut në Shqipëri dhe për rolin e mundshëm të institucioneve shtetërore në këtë fenomen.
Në intervistën e tij, Papa analizon edhe implikimet që, sipas tij, mund të ketë kjo nismë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe zhvillimet politike në vend dhe qëndrimin ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Ai shprehet gjithashtu për dinamikat politike në vend, duke komentuar edhe akuzat dhe debatet që lidhen me qeverinë e kryeministrit Edi Rama, si dhe ndikimin që këto zhvillime mund të kenë në imazhin ndërkombëtar dhe në skenën politike shqiptare, raporton gazetasot. -Kongresmeni amerikan Wilson ka paraqitur një amendament në Kongresin amerikan, i cili kërkoi një raport nga agjencitë e inteligjencës së SHBA-ve për sa i përket situatës së narkotrafikut në Shqipëri, në veçanti për rolin e mundshëm të institucioneve shtetërore në lehtësimin ose mosndalimin e tij.
Sipas këtij propozimi, brenda 180 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, Departamenti i Shtetit dhe Drejtori i Inteligjencës Kombëtare do t’i dorëzojnë Kongresit një raport që do të jetë i klasifikuar mbi shkallën e trafikut të drogës në Shqipëri dhe rolin e qeverisë në lidhje me këtë fenomen.
E për të diskutuar në lidhje me këtë zhvillim, pra me këtë amendament të propozuar nga kongresmeni amerikan, kemi kontaktuar me zotin Robert Papa se si e sheh këtë lëvizje të SHBA? Robert Papa: Është shumë e vonuar, por është qershia mbi tortë. Ka kohë që media e djathtë e ka cilësuar si Noriega, trafikant, narko-shtet. Dhe unë këtë ia them me siguri nga kontaktet që kam në departament.
Të paktën ka disa javë që një dosje masive me përgjimet e Ramës, oligarkëve dhe të familjarëve të tij, që thuhet për miliarda dollarë të pastruara në Europë dhe në Dubai, kanë mbërritur në Departamentin Amerikan të Shtetit. Kjo që ndodhi me këtë kongresmen, i cili është i djathtë, pra tralala-ja e Trumpit, nuk e blen dot heshtjen tek administrata Trump.
Bile Wilson, për çudi, ka qenë personi që ka lidhur me Kushnerin dy sirianët që kërkojnë të vjedhin në Zvërnec. Në këtë çast do të ketë hetime zyrtare për trafiqet e drogës të Ramës, por aty ka dhe një rresht për shtypjen e opozitës politike në Shqipëri. Kjo është akoma më e rëndë për Ramën. Rama është duke luajtur damë, amerikanët dhe ndërkombëtarët po luajnë shah.
Në qoftë se CIA, FBI, pra drejtoria, drejtori i ri i cili është pro Trumpit, do dërgojnë këtë material, qoftë dhe i klasifikuar, atëherë menjëherë do të hyjë në lojë ligji i administratës Trump se si sillen ndaj një kryeministri trafikant, sepse përbën rrezik kombëtar për sigurinë kombëtare të Amerikës.
Ndaj nuk ka qenë rastësi ai shkrim në Washington Examiner që përfaqëson të djathtën konservatore amerikane: “Rama, si Noriega.” Rama dosjet i ka masive. Rama nuk është më faktor në Shqipëri. Deri tani luante në arenën ndërkombëtare si i vetmi aktor që kontrollon status quo-në në Tiranë dhe në Ballkan. Nuk është më.
Kanë filluar haptas Gjermania, Turqia, vendet fqinje, pse jo dhe Amerika, po ushtrojnë trysni për ta larguar këtë person që jo vetëm kërcënon sigurinë amerikane, por stabilitetin.
Dhe ajo që është më e rëndë, janë me mijëra e mijëra fëmijë në Bashkimin Europian që vdesin nga kokaina që kryhet përmes lidhjeve të Ramës me Sinaloan dhe me bandat e Amerikës Latine. -Pra, zoti Papa, ju mendoni se ky propozim është i ngritur në shqetësime reale apo është një çështje diplomatike politike? Robert Papa : Si nuk është reale? Përrallë?
Kujtoni ju që një kongresmen kur kërkon këtë hetim çohet në mëngjes dhe e mendon në hava? Ka indicie, ka fakte, por ai e do zyrtarisht. E do zyrtarisht të shpëtojë edhe tralalanë e Trumpit, edhe Kushnerin dhe sirianët, sepse SPAK i ka ngrirë, janë miliona miliona dollarë.
Pra Rama, i cili këtu njihet nga të gjithë si zagar i Sorosit, i ka vënë një barrë të madhe administratës Trump duke marrë fëmijët e tij të llastuar, duke i lidhur me trafikantët. -Ndërkohë, zoti Papa, vetëm vitin e kaluar, nëse kthehemi pas, ambasada e SHBA-ve në Tiranë njoftoi edhe për DEA-n, e cila është aktive edhe për qytetarët të cilët duan të denoncojnë çdo rast mbi trafikun e drogës apo aktivitete të pastrimit të parave.
Aktualisht çfarë roli ka DEA dhe a diskutohen vërtet këto shqetësime në Kongresin amerikan? Robert Papa: Nuk ka nevojë të diskutohen në Kongresin amerikan. Ai që quhet deep state, FBI, CIA, DEA, kanë përfaqësuesin e tyre në ambasadë. Ambasadori është përfaqësuesi politik që përfaqëson presidentin.
Ashtu siç është shefi i inteligjencës, ashtu në ambasadë ka një person që ka nën vete personin që mbulon FBI-në, shefin e stacionit dhe shefin e stacionit të CIA-s. Janë këta që mbështesin haptas SPAK-un. DEA ka përfaqësuesin e tyre.
Pra trafiqet masive në portin e Durrësit me njerëzit e lidhur me Ramën, sepse janë disa që janë non grata, Hysa në mos gaboj, të cilët janë kapur, fotografuar te Rama. Ka rënë ajo që Rama nuk ka lidhje me drogën. Këta i kanë me fakte dhe luajnë miliarda dollarë të kapura në një vend europian, të kapura në Dubai, ka në Singapur.
Është një person nga Rama i futur tek SPAK që bën ndalesën për të kaluar këto llogaritë bankare që vijnë, por dhe këta amerikanët e kanë kapur. Natyrisht që interesimi amerikan për Ballkanin nuk është ashtu siç duhet të ishte sepse është Irani, por megjithatë Ballkani, ku përfshihet dhe Shqipëria, janë troje të interesit amerikan.
Ndaj nuk do të duan që ta kthenin Shqipërinë në një shtet si Kolumbia. Në qoftë se Trump ka dhënë urdhër që të bombardojnë Meksikën, Kolumbinë pa marrë leje, unë nuk do ta uroja kurrë që kjo të ndodhte në vendin tim, por Rama duhet ta kuptojë dhe duhet të largohet sa më shpejt.
Ndryshe skenarët janë të tmerrshëm për të sepse jo vetëm që po shkatërron stabilitetin e Ballkanit, por kërcënon sigurinë kombëtare të Amerikës. -Sa ndikon kjo çështje në imazhin ndërkombëtar të qeverisë së Edi Ramës, por edhe të marrëdhënieve me administratën? Robert Papa: Tani Rama ka vite e vite që nuk është pritur zyrtarisht nga këta dhe as nga të majtët me të cilët ka pasur lidhje.
Pra as Bideni s’e priti. Ndërkohë që Kamala Harris gjatë fushatës priti Veliajn, nuk tregoi foto. Rama u lut, nuk e pranuan, as edhe nga Trumpi. Por Ramën në arenën ndërkombëtare e shkatërroi ai brezi i bukur që unë e quaj brezi hyjnor i protestave masive.
Rama ka marrë kryq të madh nga mediat ndërkombëtare dhe nga thuajse të gjitha ministritë e jashtme kudo, e shikojnë dhe realisht mbreti ka dalë lakuriq. Rama është i ekspozuar. Ai nuk po di se nga të shkojë. Ka udhëtime të shpeshta. Pikërisht po të shikosh se ku shkon në Evropë ka problemet e pastrimit të milionave edhe miliardave dollarë dhe nuk është një figurë properëndimore.
Përfaqëson një vend të NATO-s, ka mashtruar amerikanët, nuk ka paguar as 2% të GDP-së për mbrojtjen, ndërkohë që Trump kërkon 5% dhe në Ankara është llogaridhënie dhe vihet shumë në dyshim nga organizatorët e NATO-s, nuk ka shans që të ndodhë takimi në Shqipëri në 2027-n. Aq më tepër që në qasjen e Trump ndaj NATO-s askush nuk e di se si do të jetë fundi.
Do tërheqë shumë nga trupat amerikanë. Ka të drejtë sepse vendet europiane nuk e mbështetën Iranin. Ne na shqetëson qëndrimi që do të mbajë zoti Trump me trupat që ka në Kosovë. Për të tjerat nuk ka shumë interes për ne. Rama ka egërsuar shumë dhe klanet e Sorosit.
Pra po sulmohet thuajse nga të gjithë dhe ajo që ka shumë vlerë është që ky brez i madh po e shkatërron përpara socialistëve të ndershëm. Rama nuk ka më shumë se 200,000 vota. Ai vazhdon me ëndrra që kam 800,000.
Unë do t’i thosha këtu nga Amerika që edhe Ramiz Alia kishte 2 milionë vota dhe fundin e di Rama shumë mirë si shkoi. -A ka një vëmendje të shtuar zoti Papa të Amerikës ndaj Ballkanit për çështje të tilla dhe pse kjo vëmendje dhe kryesisht për Shqipërinë nisur nga ajo që ju thatë? Robert Papa: Fillimisht, fillimisht media e mbuloi shumë.
Natyrisht e lidhin me fëmijët e llastuar, por tani e shikojnë që është më tej se kjo, është kundra korrupsionit dhe fakti që një kongresmen me potencë shkon në këtë shkallë është shumë e rëndë. Nuk ka ndodhur kjo me qeveritë shqiptare në këto 35 vjet: hetim për lidhje me trafiqet, lehtësimet e bëra nga qeveria dhe hetim nga CIA.
E thotë haptas: nga agjencitë e inteligjencës për shtypjen, opresionin ndaj opozitës. Kështu nis çdo gjë dhe pastaj është shah. Rama është duke luajtur damë. Nuk e kupton. -Po në këtë që po thoni, e djathta do dalë e fituar nga kjo mbështetje amerikane po thoni zoti Papa? Robert Papa: Unë them që do të fitojnë shqiptarët.
Natyrisht që në një rast rotacioni zgjidh çdo gjë, por në ekuacion ka dalë një forcë e re. Është ky grup i madh të rinjsh ku aty mund të ketë shumë socialistë me origjinë nga familjet, por janë ata socialistë të ndershëm që janë. Pra e ka humbur monopolin Rama. Anti-Ramët do të fitojnë. Mund të krijohet një koalicion shumë i madh kundra tij dhe kjo do të ishte fitim për çdo shqiptar.
Pikërisht ato kërkesat e dala nga ata djem të zgjuar: heqja e atyre ligjeve që shesin Shqipërinë, e kthejnë në një vend të skllavëruar që vazhdon të dëbojë. Janë 1 milion shqiptarë të ikur nga Rama, kanë ikur dhe nga qeveri të tjera.
Kjo nuk duhet të ndodhë më dhe është e bukur ajo që u tha në fillim dhe unë nuk e di pse nuk e thonë më: Shqipëria e shqiptarëve, vdekje e tradhtarëve, është e Mit’hat Frashërit të madh. Është një brez që kërkon të jetojë me dinjitet.
