Babai i Erling Haalandit, Alf-Inge Haaland, ka lënë të hapur mundësinë që sulmuesi norvegjez të transferohet një ditë te Real Madridi, pavarësisht kontratës afatgjatë me Manchester Cityn. 25-vjeçari po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe së fundmi ishte protagonist i fitores historike të Norvegjisë ndaj Brazilit në Kupën e Botës 2026, duke realizuar dy gola që siguruan kualifikimin në çerekfinale.
Megjithëse Haaland ka kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2034, babai i tij nuk e përjashtoi mundësinë e një transferimi në të ardhmen. “Një transferim te Real Madridi? Ai është shumë i lumtur te Manchester City dhe ka një kontratë të gjatë. Tani po presim fillimin e sezonit të ri, por kush nuk do të donte të luante për Real Madridin?
Në futboll nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë”, deklaroi Alf-Inge Haaland për “DAZN”. Ndërkohë, kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, kishte pretenduar më herët se kishte arritur një marrëveshje për transferimin e Haalandit në “Santiago Bernabéu”, para se të humbiste zgjedhjet përballë Florentino Perezit.
Megjithatë, si Manchester City ashtu edhe Erling Haaland i kanë mohuar ato pretendime, duke theksuar se nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje për një transferim te gjiganti spanjoll.
