Elbasani luan të martën një pjesë të historisë, ku kthehet pas 20 vitesh në kupat e Europës. Përballë do të jetë Bate Borisov, një emër i madh, por në krizë. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku Ivan Gvozdenoviç pohoi se skuadra është gati dhe e përgatitur, duke u ndalur edhe tek afrimet e reja, të cilët janë pështatur mirë me pjesën tjetër të grupit.
Gvozdenoviç shpreson dhe ka besim tek një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Elbasan, por është i sigurt se kualifikimi do të zgjidhet pas dy takimeve. Ai ndalet edhe tek kriza e Bjellorusëve, të cilën e kanë në kampionatin e tyre, ndërsa në Europë mund të paraqiten ndryshe.
Edhe kapiteni Bruno Lulaj është në sinkron me teknikun, ndërsa pret një mbështetje të madhe edhe nga ana e tifozerisë. Verdheblutë luajnë të martën në orën në “Elbasan Arena” përballë Bate Borisov, ku shpresojnë ta inaugurojnë rikthimin në Europë me një fitore.
