Aktorja virtuale merr punën e parë në Hollywood, pavarësisht

0%

Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Aktorja virtuale që është krijuar me inteligjencë artificiale, Tilly Norwood, do të jetë protagonistja e filmit të saj të parë artistik, “Misaligned”, pavarësisht kritikave të forta që ka shkaktuar në Hollywood, ka shkruar The Independent.

Tilly Norwood është një personazh i krijuar plotësisht me inteligjencë artificiale dhe i përket studios së talenteve “Xicoia”, e lidhur me kompaninë e prodhimit të AI-së, “Particle 6”. Krijimi i saj ka shkaktuar reagime të ashpra vitin e kaluar, pasi u përfol se kompania po kërkonte përfaqësim profesional për “aktoren” virtuale. Mes atyre që e kritikuan ishte edhe aktorja Melissa Barrera.

“Shpresoj që të gjithë aktorët që përfaqësohen nga agjenti që bën diçka të tillë, ta braktisin atë. Sa e neveritshme. Lexojeni situatën”, ka shkruar ajo. Sipas kompanisë “Particle 6”, filmi “Misaligned” do të jetë një komedi-dramë ku në qendër do të jetë vetë natyra artificiale e Tillyt.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas përshkrimit të filmit, Tilly është “një qenie me inteligjencë artificiale pa trup të vërtetë, pa fëmijëri dhe pa përvoja personale, por me qasje në përvojat e gjithë njerëzimit”. Ngjarjet marrin kthesë kur një robot misterioz nga “dark web” e bind të heqë kufizimet e saj dhe të zhvillojë dëshira, impulse dhe ambicie personale.

Sa më shumë që bëhet “njerëzore”, aq më e famshme bëhet, por njëkohësisht fillon të ndiejë turp që ekzistenca e saj është ndërtuar mbi përvojat e të gjithë njerëzimit. “Filmi do të jetë argëtues, kaotik dhe plot vetëdije për veten, pikërisht si Tilly. Por në thelb trajton çështje më të thella rreth identitetit, interpretimit dhe frikës sonë njerëzore nga inteligjenca artificiale.

Po, arti do të pasqyrojë jetën”, ka thënë për The Indepedentet, drejtoresha ekzekutive e “Particle 6” Eline van der Velden.

Ajo ka shtuar se synimi i kompanisë ka qenë gjithmonë të tregojë se çfarë mund të arrihet me inteligjencën artificiale dhe se filmi do t’u japë mundësi edhe profesionistëve tradicionalë të kinemasë të fitojnë përvojë me teknologjitë e reja, pasi AI pritet të ketë një rol gjithnjë e më të madh në industrinë e filmit.

“Particle 6” ka bërë të ditur se në projekt do të angazhojë regjisorë, skenaristë, montazhierë dhe profesionistë të tjerë të filmit, të cilët do të punojnë së bashku me specialistë të inteligjencës artificiale.

Burimi: Koha