Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mall me karakter komercial dhe 29 mijë e 900 euro para të gatshme të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit. Sipas njoftimit të Doganës, automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut u përzgjodh për kontroll bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde.
Fillimisht, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk posedonte mall apo mjete monetare që duhej të deklaroheshin. Megjithatë, kontrolli fizik i automjetit zbuloi një sasi malli me natyrë komerciale që nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Po ashtu, gjatë kontrollit të shoferit dhe pasagjerit u gjetën 29,900 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar, ndonëse ligji kërkon deklarimin e shumave prej 10 mijë eurosh ose më shumë gjatë hyrjes apo daljes nga Kosova.
Dogana bëri të ditur se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore. “Në këtë rast, malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara, përfshirë konfiskimin e përqindjes së mjeteve monetare sipas vendimit të autoritetit kompetent dhe procedurat për kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.
