Një muaj nga zgjedhjet, pa rezultate të certifikuara dhe pa

0%

Sot janë bërë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, por procesi zgjedhor vazhdon të mbetet i papërfunduar për shkak të ankesave që po trajtohen nga institucionet përgjegjëse.

Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të bëjë certifikimin e rezultateve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Ndërkohë, skena politike ka vazhduar me deklarata dhe përgatitje për fazën e ardhshme institucionale.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se beson se i ka numrat e nevojshëm për formimin e ekzekutivit të ri, ndërsa ka shprehur gatishmëri që për zgjedhjen e presidentit të kërkojë një marrëveshje më të gjerë politike me partitë parlamentare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë theksuar se do të presin certifikimin e rezultateve përpara se të marrin vendime për hapat e mëtejmë politikë dhe për pozicionimin e tyre në raport me procesin e krijimit të institucioneve. Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se edhe pas certifikimit të rezultateve, sfidë mbetet sigurimi i shumicës parlamentare për formimin e institucioneve.

Sipas tyre, përderisa formimi i Qeverisë kërkon shumicë të thjeshtë parlamentare, zgjedhja e presidentit kërkon një mbështetje më të gjerë politike, çka mund të imponojë negociata dhe kompromise mes subjekteve politike.

Kalimi i një muaji nga dita e zgjedhjeve pa certifikimin e rezultateve nënkupton se vendi vazhdon të jetë në pritje të përfundimit të procesit zgjedhor, duke shtyrë edhe fillimin e afateve kushtetuese për konstituimin e institucioneve të reja.

Pas certifikimit, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu pritet të ndërmarrë hapat kushtetues për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas rezultateve përfundimtare, LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44 për qind, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69 për qind, apo 18 ulëse dhe Aleanca 6.74 për qind, apo 7 mandate.

Burimi: Telegrafi