Lista shtetërore e viktimave të luftës, 27 vjet më pas: Pse u vonua

0%

27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, është mbajtur një takim konsultativ ku është prezantuar versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës. Ky proces synon krijimin e një evidence shtetërore të verifikuar dhe të besueshme për viktimat e luftës së fundit.

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si të domosdoshëm dokumentimin e krimeve të luftës dhe ndërtimin e një baze të saktë të të dhënave. Sipas tij, kjo është e rëndësishme për drejtësinë dhe ruajtjen e kujtesës historike të vendit. Megjithatë, mbetet e hapur pyetja pse një listë e tillë po hartohet vetëm tani.

Gjithashtu, diskutohet nëse procesi është vonuar për shkak të neglizhencës apo kalkulimeve politike ndër vite. “Neglizhenca dhe pasiguria kanë penguar një listë të besueshme” Blerim Burjani Kështu, lidhur me këtë ҫështje për “Bota sot”, eksperti i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka theksuar se mungesa e një liste kredibile të viktimave dhe neglizhenca institucionale kanë krijuar pasiguri të madhe në trajtimin e krimeve të luftës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, një dokumentim i saktë i viktimave ka rëndësi të veçantë për ndërtimin e bazës ligjore për padi ndaj shtetit serb në të ardhmen. “Neglizhenca, jo siguria, që mund të ketë një listë kredibile, ka rëndësi të madhe për të ngritur herëdokur padi ndaj shtetit serb” , ka deklaruar Burjani.

Burjani vlerëson se tani duhet të ndërmerret një hap më i avancuar juridik, që përfshin një padi gjithëpërfshirëse për vrasjet masive të shqiptarëve gjatë luftës. Ai thekson se në të kaluarën ka pasur kalkulime të mëdha politike lidhur me hartimin e listave të viktimave dhe dëmeve të shkaktuara nga Serbia.

“Ka pasur shumë kalkulime politike nëse duhet bërë kjo listë, sepse është vlerësuar se mund të arrihet një marrëveshje Kosovë–Serbi përmes dialogut, i cili ka dështuar moti”, është shprehur ai. Sipas Burjanit, listat e viktimave dhe të dëmeve, përfshirë plaçkitjet dhe shkatërrimin e ekonomive familjare e pronave private, mbeten thelbësore për proceset e ardhshme ligjore.

“Dokumentimi i viktimave është detyrim moral dhe institucional” Prof.dr. Muhamet Racaj Ndërkaq, profesori dr. Muhamet Racaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka vlerësuar se përpilimi i një liste shtetërore të viktimave të luftës në Kosovë, 27 vjet pas përfundimit të saj, është një hap i domosdoshëm për shtetin e Kosovës.

Sipas tij, çdo shtet që ka kaluar përmes luftës ka obligim moral, institucional dhe juridik të dokumentojë me saktësi viktimat e agresionit, si për të respektuar dinjitetin e tyre, ashtu edhe për të ruajtur të vërtetën historike. “Përpilimi i një liste shtetërore të viktimave të luftës është një hap i domosdoshëm për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Racaj.

Racaj ka sqaruar se, ndonëse procesi po finalizohet tani, nuk kanë munguar përpjekjet institucionale ndër vite për dokumentimin e viktimave, të zhdukurve dhe të prekurve nga lufta. Ai thekson se janë krijuar baza të ndryshme të të dhënave dhe janë zhvilluar procese verifikimi, por nuk është arritur një regjistër unik dhe gjithëpërfshirës në nivel shtetëror.

Sipas tij, nuk është e drejtë të thuhet se kjo çështje është neglizhuar me qëllim nga qeveritë e pasluftës, as që finalizimi i saj i atribuohet vetëm një ekzekutivi. Ai shton se procesi ka munguar në koordinim të plotë ndërinstitucional, në metodologji të unifikuar dhe në vazhdimësi të qëndrueshme.

Profesori thekson se një listë e verifikuar dhe e besueshme ka rëndësi strategjike për Kosovën, pasi forcon pozicionin e saj ndërkombëtar dhe ndihmon në ndjekjen e krimeve të luftës. Sipas Racajt, ajo gjithashtu pengon mohimin e krimeve dhe kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike të viktimave.

Ai ka apeluar që procesi të trajtohet si një projekt shtetëror, përtej ndasive politike dhe partiake, duke u finalizuar në mënyrë transparente dhe profesionale. Racaj ka theksuar se në këtë proces duhet të përfshihen institucionet shtetërore, ekspertët, shoqatat e familjarëve të viktimave dhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të ketë një evidencë të besueshme dhe të qëndrueshme.

Burimi: Bota Sot