Lindja jote ishte bekim për ne. Nga balta dhe pluhuri na nxore; si farkëtari i mirë hekurin e lakuar, na drejtove. Na bëre ta njohim vetveten dhe ta themi të vërtetën, qoftë edhe e hidhur si pelini. Na mësove të falim dashuri dhe të ndiejmë dhembshuri. Na mësove që dëshirat t’i plotësonim me disiplinë e punë, e assesi me forcë e dhunë.
Na edukove me respektin ndaj të moshuarve dhe të sëmurëve. Na mësove të mos bëhemi zvarranikë e vegël e askujt. Vazhdimisht na thoshe: Poqëse Atdheu rrezikohet, të gjithë zot duhet t’i dalim, se nuk kemi Atdhe rezervë. Ishe i qetë, i ditur dhe i urtë. Me fjalë të ëmbla dhe këshilla prindërore na mbolle dashurinë për shokët, shoqet dhe shkollën.
Veçanërisht për shoqet na thoshe: “Me sjelljen tuaj njerëzore bëni që shkollat të mbushen me to.” Aty ku shkeli këmba jote, u shua errësira dhe mbërriti drita. Ishe dhe do të mbetesh fanar drite i shumë brezave! ARIF EJUPI Gjenevë, Arif Ejupi
