Një hulumtim i emisionit “Kallxo Përnime” zbuloi se çmimet e pajisjeve mjekësore për operimin e prostatës, që mungojnë në Spitalin e Pejës, u rekomanduan nga stafi mjekësor që të bliheshin në një barnatore specifike. Në fund të muajit qershor, një pacient nga Peja ishte paraparë t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në prostatë.
Por, vetëm pak minuta para se të hynte në sallën e operimit, familjarët e tij morën një kërkesë nga stafi mjekësor. Përmes një letre të bardhë, të cilën e ka siguruar “Kallxo Përnime” dhe e cila nuk ishte një recetë standarde me logo dhe vulë të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, stafi shëndetësor kishte rekomanduar blerjen e një prerëse, një rollne, Inspirol dhe kateterit, pajisje mjekësore të nevojshme për kryerjen e operacionit të prostatës.
Në fund të letrës ishte shënuar edhe emri i një barnatoreje private, “Begolli Pharm”. Të gjendur para kësaj situate, vetëm pak minuta para operimit, familjarët shkuan për t’i blerë pajisjet, të cilat kushtuan gjithsej 548 euro e 50 centë.
“Burri ka shkuar prej prostatës me u bë operacion dhe ia dhanë tani recetën, letrën ia dhanë për me shku me i ble qato mjete” – thot familjari i pacientit në kushte anonimiteti.
“Atëherë unë shkova me i marrë, për 5 minuta, 10 minuta, ky tu hy në sallë, me shku me ble… me na i pasë dhënë dje për shembull, i bie dje a pardje, unë isha shku diku, i kisha marrë pak më lirë ndoshta” – thot tutje familjari. Paratë, të cilat familjari thot se i kishin ruajtur për të blerë drutë e dimrit, u detyruan t’i shpenzonin për pajisjet mjekësore që mungonin në Spital.
“Thash a keni qashtu qashtu, këto komplet thash me m’i dhanë, edhe sa kushtojnë… Atëherë tha: “Valla 550€ kushtojnë”. Kuu, e kapa kryet me dorë, thash qysh aq shtrenjtë…” – kujton familjari bisedën në barnatoren “Begolli” në Pejë. “I kemi ruajtur për shtëpi, për dru e për qashtu sikur për një familje që duhen paret” – tha tutje familjari.
Në një bisedë të shkurtër, njëri nga urologët në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nuk e mohoi se kishte shkruar letrën për familjen e pacientit që po i nënshtrohej operacionit në prostatë. Ai konfirmoi se pajisjet për operim nuk ishin në Spital, prandaj, sipas tij, familja u udhëzua t’i blinte në një barnatore private. “Me qenë (pajisjet në spital) nuk guxoj me ia shkru unë…
Epo tash pse i rekomandojmë, ajo është pjesë tjetër… duhet me shku me ble, mos dashtë mos të blejnë hiç, mos të vjen hiç, çka me i bë” – tha urologu. “S’ka të bëj kjo me recetë hiç, kur s’ka pajisje këtu çka kam me bë unë, kur s’i ka spitali. A duhet me dalë prej lëkure unë. Pyeti në drejtori, nëse ka pajisje këtu unë nuk ia shkruaj” – deklaroi ai.
KallxoPërnime nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse i njëjti urolog e kishte shkruar letrën që pacienti t’i blinte pajisjet në një barnatore private. Për këtë arsye, identiteti i tij nuk është zbuluar. Dallimi në çmime mes barnatoreve Për një familje nga Peja, pajisjet për operimin e prostatës kushtuan 548 euro e 50 cent.
Megjithatë, hulumtimi i KallxoPërnime ka zbuluar se të njëjtat pajisje mjekësore mund të sigurohen deri në 308 euro më lirë. Në njërën prej barnatoreve në qytetin e Pejës, afër Spitalit të Përgjithshëm, të njëjtat pajisje mund të sigurohen me rreth 340 euro. “340 e gjysmë, 340 euro në total.
Qysh t’i gjejnë i shesin, shumë problem është po të kallzoj…” – tha njëra prej shitëseve në një barnatore të Pejës. Ndërsa, në një barnatore pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë, të njëjtat pajisje mund të sigurohen për 240 euro, ose 308 euro më lirë se në barnatoren”Begolli” në Pejë.
“Po, të asaj firme janë, Aster. 240 euro është çmimi i fundit nëse doni t’i porositni…” – tha pronari i barnatores. Në një bisedë telefonike, përfaqësuesi i barnatores “Begolli” në Pejë e arsyetoi çmimin prej 548 euro e 50 cent për pajisjet e operimit të prostatës. Sipas tij, çmimi përcaktohet nga furnizuesi.
“Unë i kam faturat e furnizimit, i kam 410 euro, domethënë as 10% s’i kam marrë… kjo tekefundit mua ligji më mbron, kjo është pajisje, nuk është në këtë rast bari” – tha Vigan Begolli. “205 euro është njëra, 205 euro është tjetra, domethënë 410 euro janë vetëm ato pajisjet për prostatë.
Domethënë 10% nuk kam marrë që në këto kam të drejtë me shku sa të dua se ma lejon ligji, s’ma ndalon ligji…” – shtoi ai. “Shkoni në ATK, i thoni ATK-së shkoni në këtë barnatore se po na rrejnë për çmimet edhe ata vijnë i verifikojnë, a din për këto punë është ATK-ja nuk jeni ju!” – tha Begolli.
Përgjigjet zyrtare konfirmojnë mungesën e furnizimeve në spital Spitali i Përgjithshëm në Pejë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kanë konfirmuar mungesën e pajisjeve mjekësore për operimin e prostatës. Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, përmes një përgjigjeje me shkrim, tha se arsyeja e mungesës së pajisjeve lidhej me procedurat e prokurimit publik.
Sipas tyre, procedura e furnizimit u anulua pasi oferta e vetme e pranuar e tejkalonte buxhetin e planifikuar. “Për shkak se oferta e vetme e pranuar e tejkalonte ndjeshëm fondet e planifikuara dhe mjetet e disponueshme për këtë procedurë, Autoriteti Kontraktues nuk ka pasur bazë financiare për vazhdimin e procedurës dhe dhënien e kontratës.
Për këtë arsye, procedura është anuluar dhe njoftimi për anulim është publikuar më , në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik. Ky ka qenë shkaku i vetëm i anulimit të procedurës” – thuhet në përgjigje.
“Pas anulimit është vendosur që kërkesa të rishqyrtohet nga njësia kërkuese, me qëllim të rivlerësimit të nevojave dhe të planifikimit të vlerës së kontratës mbi bazën e çmimeve aktuale të tregut.
Duke pasur parasysh se Spitali operon met buxhet të kufizuar dhe se institucioni ka për obligim të sigurojë përdorim ekonomik, efikas dhe racional të mjeteve publike, është vlerësuar se anulimi i procedurës ishte veprimi i vetëm i arsyeshëm dhe në interes të mbrojtjes së buxhetit publik” – thuhej tutje në përgjigje. Shpjegime për rastin në Pejë kanë dhënë edhe nga SHSKUK.
Ata kanë konfirmuar problemet me ofertat e prokurimit publik me të cilat ishte përballur Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
“Lidhur me rastin e Spitalit të Përgjithshëm Pejë, bazuar në sqarimin zyrtar të këtij institucioni, për produktet në fjalë aktualisht nuk ka kontratë aktive të furnizimit, pasi procedura e mëparshme e prokurimit është anuluar për shkak se oferta e vetme e pranuar ka tejkaluar vlerën e planifikuar të kontratës.
Më pas është bërë rivlerësimi i nevojave, ku është përgatitur kërkesa e re për furnizim, e cila aktualisht është në procedurë tenderimi” – ka deklaruar SHSKUK.
“Sa i përket produktit Manitol + Sorbitol (Biourisol/Inspirol Bag 3L), i cili është pjesë e Listës Esenciale të Barnave, ju njoftojmë se SHSKUK posedon kontratë aktive të furnizimit dhe furnizimi me këtë produkt pritet të realizohet në afatin më të shkurtër të mundshëm për të gjitha njësitë e SHSKUK-së” – ka deklaruar SHSKUK.
