Edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, mijëra familje vazhdojnë të jetojnë me ankthin e mungesës së përgjigjeve për fatin e më të dashurve të tyre. Çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të thella dhe ende të pambyllura të pasluftës, ndërsa kërkimi për drejtësi dhe të vërtetën vazhdon.
Këtyre rrëfimeve u kushtohet dokumentari i realizuar nga BIRN Kosova, i cili sjell dëshmi të dhimbshme për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe përpjekjet shumëvjeçare të familjarëve për të zbuluar fatin e tyre. Dokumentari është realizuar pas më shumë se 200 orësh intervista me familjarë të personave të zhdukur, dëshmitarë dhe persona të përfshirë në procesin e kërkimit të tyre.
Në rajonin e Gjakovës dokumentari përmes rrëfimeve të dëshmitarëve, dokumenteve gjyqësore dhe fakteve të mbledhura ndër vite, ai hedh dritë ngjarjet në rajonin e Gjakovës dhe dokumenton veprimet e organizuara për zhdukjen e trupave të viktimave, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të luftës.
Sipas dëshmive të paraqitura në dokumentar, viktimat nga qyteti i Gjakovës, masakra e Mejes, Krusha e Madhe dhe Pastaseli, pas ekzekutimeve nga forcat serbe u dogjën ose u zhvendosën në varreza masive dhe individuale në Kosovë dhe Serbi, me qëllim fshehjen e provave të krimeve. Rajonet e Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës përjetuan disa nga krimet më të rënda gjatë luftës.
Qindra civilë u vranë, ndërsa trupat e shumë prej tyre u zhdukën. Vetëm në Krushë të Madhe dhe Pastasel u vranë rreth 400 civilë, një pjesë e të cilëve edhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur. Në këtë mund ta shikoni dokumentarin e plotë.
Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një debat publik, ku u diskutuan sfidat që vazhdojnë ta përcjellin procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Në panel morën pjesë prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, avokati Teki Bokshi, përfaqësuesi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, aktivisti Selami Hoti dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.
Gjatë diskutimit u trajtuan pengesat institucionale në procesin e kërkimit të personave të zhdukur, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, përgjegjësia për ndjekjen penale të krimeve të luftës, si dhe roli i familjarëve, institucioneve dhe shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë.
Duke folur për punën e institucioneve në hetimin e krimeve të luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se institucionet e Kosovës e kanë trashëguar një barrë të rëndë, pasi sipas tij, për vite me radhë rastet e krimeve të luftës nuk kishin marrë trajtimin e nevojshëm.
Morina tha se pas vitit 2019-2020 janë ndërmarrë hapa për krijimin e mekanizmave të specializuar që do të merreshin ekskluzivisht me hetimin e këtyre rasteve. “Ne kemi trashëguar një problem të madh dhe ky problem i madh ishin rastet e krimeve të luftës. Këtë problem e trashëguam në vitin 2019-2020.
Menjëherë kemi bërë përpjekjet e para që të ndërtojmë institucionet që duhet me i adresu këto probleme. Fillimisht u themelua Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale, ndërsa më pas, në kuadër të Policisë së Kosovës u themelua Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës” – tha Morina.
Ai shpjegoi se kjo drejtori përbëhet nga dy njësi, njëra që merret me hetimin e vrasjeve dhe veprave të tjera penale të kryera gjatë luftës, ndërsa tjetra është e përqendruar ekskluzivisht në rastet e personave të zhdukur.
Sipas Morinës, në këtë njësi janë angazhuar 11 hetues policorë, të cilët merren vetëm me mbledhjen, verifikimin dhe përpunimin e çdo informacioni që lidhet me personat e pagjetur dhe krimet e luftës.
Duke folur për rezultatet e punës së institucioneve gjatë vitit 2025, ai bëri të ditur se Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucione të tjera, ka zhvilluar dhjetëra aktivitete në terren. “Sa u përket personave të pagjetur, gjatë vitit 2025 kemi kryer 54 aktivitete.
Nga to, 32 kanë qenë zhvarrime dhe gërmime në lokacione ku kemi pasur informacione se mund të ketë mbetje mortore nga koha e luftës. Nga këto aktivitete janë zbuluar 20 trupa dhe katër mbetje eshtërore, të cilat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për hulumtime të mëtejshme” – deklaroi ai.
Morina shtoi se 22 aktivitetet e tjera kanë konsistuar në verifikimin e informacioneve të siguruara nga qytetarët, mediat apo burime të tjera, duke theksuar se çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë vendimtar për zbardhjen e fatit të një personi të zhdukur.
Në këtë drejtim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë të bashkëpunojnë me institucionet, duke raportuar çdo informacion apo dyshim që mund të kenë. “Ju lutem, për çdo informacion që e keni për rastet e personave të pagjetur, kontaktoni Policinë e Kosovës ose Prokurorinë Speciale” – apeloi Morina.
Për ta ilustruar rëndësinë e reagimit të shpejtë, ai solli shembullin e një rasti në Podujevë, ku familjarët, gjatë punimeve në varrezat familjare, kishin hasur në një batanije të mbuluar me dhe.
Sipas tij, njoftimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur sigurimin e vendit të ngjarjes, nisjen e procedurave ligjore dhe gjetjen e mbetjeve mortore, të cilat më pas iu nënshtruan ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore. “Një gjetje e tillë nuk është vetëm zbulim i një trupi.
Ajo është edhe pjesë e dosjes hetimore për krimet e luftës, prandaj çdo informacion ka rëndësi të jashtëzakonshme” – tha ai.
Morina rikujtoi se Prokuroria Speciale ka publikuar në uebfaqen e saj një numër kujdestarie që funksionon 24 orë në ditë, duke ftuar qytetarët ta përdorin atë për të raportuar informacione që lidhen jo vetëm me personat e zhdukur, por edhe me çdo krim tjetër të luftës.
I pyetur nëse Kosova ka dështuar në hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës dhe në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, avokati Teki Bokshi tha se fakti që edhe pas më shumë se dy dekadash qindra persona vazhdojnë të figurojnë të pagjetur, flet vetë për mangësitë që kanë shoqëruar këtë proces.
Megjithatë, ai theksoi se dështimet nuk mund t’u atribuohen vetëm institucioneve të Kosovës, pasi, sipas tij, ato janë përballur me një kundërshtar që kishte organizuar në mënyrë të planifikuar fshehjen e gjurmëve të krimeve. “Fakti që ka mbetur një numër kaq i madh ende pa u identifikuar tregon se në procesin e zbulimit të personave të zhdukur ka pasur dështime.
Megjithëse përpjekjet i kanë bërë autoritetet e Kosovës, fillimisht administrata e UNMIK-ut, më pas EULEX-i dhe institucionet e Kosovës, ne kemi pasur një kundërshtar që ka pasur program të ushtrisë, policisë dhe sigurimit të shtetit për fshehjen dhe zhdukjen e viktimave” – tha Bokshi.
Duke iu referuar fakteve dhe dëshmive të mbledhura ndër vite, ai tha se përveç rasteve të trajtuara në dokumentar, ekzistojnë edhe pretendime për lokacione të tjera ku dyshohet se janë zhdukur trupat e viktimave. “Përveç rasteve që u përmendën në film, flitet edhe për raste të tjera.
Një ndër vendet që përmendet është fabrika e qelqit, ku thuhet se trupat janë djegur në furrnalta për shkrirjen e qelqit” – u shpreh ai.
Më pas, Bokshi ndau edhe përvojën e tij personale, duke treguar se angazhimi në kërkimin e personave të zhdukur kishte nisur menjëherë pas përfundimit të luftës, përmes bashkëpunimit me Fondin për të Drejtën Humanitare dhe aktivisten serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.
Ai kujtoi se në korrik të vitit 1999, vetëm pak javë pas përfundimit të luftës, ishte kontaktuar nga Kandiq, e cila i kishte kërkuar të bashkohej me një mision që synonte vizitat në burgjet në Serbi për të mbledhur informacione mbi fatin e personave të zhdukur.
“Natasha Kandiq më pyeti nëse pranoja që, së bashku me disa avokatë të tjerë, të vizitonim të burgosurit në Serbi dhe të përpiqeshim të merrnim informacione për personat e humbur. Ishte një angazhim vullnetar. Pranova menjëherë” – rrëfeu Bokshi.
Ai tregoi se së bashku me kolegët e tij udhëtoi drejt burgjeve më të mëdha në Serbi, përfshirë ato në Pozharevc, Nish dhe Mitrovicë të Sremit, ku takuan të burgosur shqiptarë nga Kosova. Sipas tij, në prag të nisjes, dhjetëra familjarë nga Gjakova kishin ardhur për t’i dhënë autorizime, me shpresën se ai do të mund të siguronte ndonjë informacion për të afërmit e tyre.
“Atë natë kemi qëndruar deri në orën një pas mesnate duke përgatitur autorizimet. Kur hymë në burgun e Pozharevcit dhe u takova me një grup të burgosurish nga Gjakova, ata nuk u besonin syve kur më panë. I pyeta nëse dinin diçka për personat e zhdukur, por nuk kishin pothuajse asnjë informacion. Edhe vetë ishin të izoluar dhe nuk dinin çfarë po ndodhte jashtë” – kujtoi ai.
Bokshi tha se në atë kohë mungonin informacionet zyrtare dhe kjo krijoi hapësirë për keqpërdorime të shumta, ku persona të ndryshëm shfrytëzonin dhimbjen e familjeve duke u premtuar informacione për të afërmit e tyre.
Ai tregoi se vetëm pasi u sigurua lista zyrtare e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq me rreth 2,350 shqiptarë të burgosur në Serbi, familjet arritën të kishin një pasqyrë më të qartë se kush ishte gjallë. “Para se ta siguronim atë listë kishte shumë mashtrues që luanin me emocionet e njerëzve.
Kur e morëm listën zyrtare të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, e shpallëm publikisht në zyrën tonë, sepse deri atëherë askush nuk dinte se kush ishte gjallë e kush jo” – tha Bokshi. Ai shtoi se për gati tre vjet vazhdoi të udhëtonte në Serbi, fillimisht për çështjen e personave të zhdukur, e më pas edhe për të ofruar ndihmë juridike falas për të burgosurit politikë shqiptarë.
Në fund, Bokshi ndau një nga rastet që, sipas tij, ilustron më së miri dhimbjen e familjeve dhe mënyrën se si ajo u keqpërdor nga mashtruesit. Ai rrëfeu historinë e të ndjerit Sadri Tahiraj nga Gjakova, i cili kërkonte me çdo kusht djalin e tij të zhdukur dhe, në këtë përpjekje, ra pre e një mashtruesi.
“Ai më thoshte: ‘Unë e kam tokën, i bëj paratë, nuk më intereson pasuria, vetëm ma gjeni djalin’. Një detektiv privat në Mal të Zi e kishte bindur se djali i tij ishte gjallë, madje e kishte çuar në një kazermë në Rashkë dhe i kishte lëshuar një incizim duke pretenduar se ishte zëri i djalit të tij. Vetëm për këtë mashtrim ia kishin marrë 80 mijë marka” – tregoi Bokshi.
Sipas tij, pas denoncimit që bëri në Mal të Zi, autoritetet vendase urdhëruan arrestimin e personit të dyshuar për mashtrim, por kjo nuk e zbehu dhimbjen e familjes, e cila për vite me radhë kishte jetuar mes shpresës dhe zhgënjimit në kërkim të së vërtetës.
Për përmasën e procesit të kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur foli edhe Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili tha se pothuajse e gjithë karriera e tij profesionale është lidhur me gërmimet, zhvarrimet dhe identifikimin e viktimave të luftës.
Ai tha se gjatë viteve ka punuar pothuajse në çdo varrezë dhe lokacion ku janë zhvilluar gërmime në Kosovë, ndërsa përvojat më të rënda, sipas tij, lidhen me rajonin e Gjakovës. “Pothuajse nuk ka fshat e varrezë ku s’kam punuar në Kosovë. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ekziston materiali i mbi 2,800 pikave të varrezave të punuara dhe i 24 transfereve të mbetjeve mortore nga Serbia.
Më së shumti kam punuar në Gjakovë dhe, edhe sot, m’u kthyen emocionet kur u përmend momenti kur vendosëm ku t’i varrosnim viktimat e para të Mejës dhe në Çabrat” – tha Gërxhaliu. Ai u ndal edhe te procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së, duke e cilësuar atë si metodën më të besueshme shkencore për identifikimin e viktimave.
Megjithatë, sipas tij, edhe ky proces u vështirësua nga personat që shfrytëzonin dhimbjen e familjeve për përfitime financiare. “Analiza e ADN-së është metoda më e përsosur. Fatkeqësisht, shumë familje u mashtruan nga sekserët.
Ata përdornin informatat për të marrë para dhe i frikësonin familjarët që të mos flisnin me ne, duke u thënë se, nëse bashkëpunonin me Institutin, do t’i vrisnin të afërmit e tyre në burgjet private. Për disa familje ka qenë pothuajse e pamundur t’ua ndryshoje këtë bindje” – tha ai.
Duke folur për përpjekjet për zhdukjen e gjurmëve të krimeve, Gërxhaliu solli shembullin e Kralanit, ku, sipas tij, ekspertët hasën vetëm mbetje të djegura, gjë që e bëri të pamundur identifikimin individual të viktimave. “Sa u përket djegieve, në Kralan kemi gjetur rreth 7 deri në 9 kilogramë eshtra të djegura në temperatura prej 1,250 deri në 1,500 gradë Celsius.
Në ato temperatura shkatërrohet pjesa organike e eshtrave dhe nuk mund të izolohet profili gjenetik. Shkencërisht, e dimë se aty ndodhen mbetjet e 55 deri në 70 personave, por nuk mund t’i identifikojmë ndaras. Nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të varroseshin bashkërisht dhe t’u vihej një emër” – shpjegoi ai. Gërxhaliu tha se dyshimet për zhdukjen e trupave nuk kufizohen vetëm në Kralan.
Duke iu referuar dëshmive të mbledhura ndër vite, ai përmendi edhe pretendimet se një numër i madh viktimash mund të jenë djegur në furrnalta industriale. “Zonja Natasha Kandiq na pati përmendur se ekzistojnë dëshmi që nga 250 deri në 750 persona mund të jenë djegur në furrnalta të ndryshme, si në Trepçë dhe Maçkaticë.
Këto furrnalta punojnë me temperatura mbi 2,500 gradë Celsius dhe praktikisht i kthejnë eshtrat në tym. Në kushte të tilla, shkencërisht është e pamundur të gjenden prova materiale” – tha Gërxhaliu.
Ai e cilësoi këtë si një nga sfidat më të mëdha me të cilat janë përballur ekspertët e mjekësisë ligjore, pasi në shumë raste mungesa e mbetjeve mortore e bën pothuajse të pamundur identifikimin e viktimave, pavarësisht ekzistimit të dëshmive për krimet e kryera.
Më pas fjalën e mori aktivisti dhe familjari i një personi të zhdukur, Selami Hoti, i cili në dokumentar kishte ndarë për herë të parë publikisht historinë e familjes së tij.
I pyetur nëse ndihej i kënaqur me hetimet e deritanishme dhe çfarë do të dëshironte të ndodhte për familjet që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre, Hoti tha se dokumentimi i këtyre historive është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë kërkimi për personat e zhdukur. “Është hera e parë që flas publikisht për babanë tim dhe jam ndjerë shumë keq.
Në familjen time ka fëmijë të tjere që kanë mbetur pa nënë e pa babë” – tha Hoti. Ai shtoi se nuk e konsideron veten vetëm si familjar të një personi të zhdukur, por si zë të dhjetëra familjeve që vazhdojnë të jetojnë me të njëjtën dhimbje. “E përfaqësoj edhe fshatin tonë, i cili edhe sot i ka 64 persona të zhdukur. Prandaj asnjëherë nuk flas në vetën e parë” – u shpreh ai.
Për Hotin, liria e Kosovës mbetet ngushëllimi më i madh për familjet e viktimave, pasi, siç tha ai, ata njerëz u vranë pikërisht për atë liri. Megjithatë, sipas tij, plagët nuk mund të konsiderohen të mbyllura derisa të zbulohet fati i secilit person të zhdukur. “Ne nuk jemi tërësisht të ngushëlluar, edhe pse jemi në liri, përderisa nuk e gjejmë të fundit fare” – tha ai.
Kreshnik Gashi, iniciator i projektit, u pyet se çfarë kishte synuar të arrinte me këtë dokumentar 26 vjet pas luftës dhe nëse dokumentimi i këtyre historive ka vlerë edhe kur nuk sjell menjëherë një hetim të ri. Gashi tha se projekti është ndërtuar mbi dy objektiva kryesore.
I pari, sipas tij, ishte të nxiste ndërgjegjen e njerëzve që mund të kenë informacione për vendndodhjen e personave të zhdukur. “Ne kishim dy qëllime kur e morëm këtë nismë. Së pari, kemi dashur t’u prekim ndërgjegjen njerëzve që mund të kenë informacione.
Ndoshta në pleqëri, para se të vdesin, nuk duan të shkojnë me gjynah në atë botë dhe pranojnë të bëjnë një telefonatë për të treguar se ku janë varrosur trupat” – tha ai. Qëllimi i dytë, sipas tij, ishte ruajtja e kujtesës së familjeve, në mënyrë që rrëfimet e tyre të mos humbnin me kalimin e kohës. “Projekti nisi gjatë kohës së COVID-it, kur familjarët po ndërronin jetë papritur.
Imagjinoni, nga 80 personat që kemi intervistuar, njëri ka vdekur pa e parë dokumentarin të transmetuar, ndaj jemi detyruar ta bëjmë post-mortum rrëfimin e tij” – tregoi ai. Gashi bëri të ditur se intervistat janë dokumentuar në tri gjuhë, me synimin që historia e personave të zhdukur të mos mbetet vetëm një histori e Kosovës, por të njihet edhe në rajon e më gjerë.
“Materiali i gjerë që kemi mbledhur nuk flet vetëm për traumën, por edhe për identifikimin e kryerësve dhe metodat se si janë bërë vrasjet”, – tha ai.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.
