Parasezoni i Liverpoolit është gati të nisë dhe Andoni Iraola do të jetë pa pesë nga emrat e tij më të mëdhenj në ditën e parë. Skuadra e Liverpoolit do të rikthehet në “AXA Training Centre” më 13 korrik, ku Iraola do të nisë zyrtarisht punën si trajner, pas shkarkimit të Arne Slotit në fund të sezonit të kaluar.
Iraola së fundmi ka kompletuar stafin e tij teknik, duke marrë disa nga bashkëpunëtorët e besuar nga ish-klubi i tij, Bournemouth. Tommy Elphick dhe Shaun Cooper i bashkohen si trajnerë të ekipit të parë, Pablo de la Torre si ndihmës trajner, ndërsa Tom Webber si analist taktik i ekipit të parë.
Katërshja u zyrtarizua më 2 korrik dhe do të drejtojë skuadrën gjatë turneut me tri ndeshje në Shtetet e Bashkuara. Liverpooli do të përballet me Sunderlandin në Nashville më 25 korrik, me Wrexhamin në “Yankee Stadium” të New Yorkut më 29 korrik dhe me Leedsin në Chicago më 2 gusht.
Më pas do të zhvillojë miqësore në shtëpi ndaj Monacos dhe Comos, përpara ndeshjes hapëse të sezonit në udhëtim ndaj Newcastles më 23 gusht. Megjithatë, Iraola do të duhet të presë edhe pak për ta pasur të plotë skuadrën në stërvitje, pasi pesë lojtarë janë konfirmuar se do ta humbasin fillimin e fazës përgatitore për shkak të pjesëmarrjes së tyre në Kupën e Botës.
Trajneri nuk do të ketë në dispozicion holandezët Virgil van Dijkun, Ryan Gravenberchun dhe Cody Gakpon, të cilët u eliminuan në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës. Florian Wirtzi dhe Alexander Isaku janë dy mungesat e tjera.
Rregulloret e FIFA-s rekomandojnë një pushim minimal të detyrueshëm prej 21 ditësh në fund të çdo sezoni, periudhë që në këtë rast do të llogaritet pas eliminimit të tyre nga Kupa e Botës. FIFA dhe sindikatat ndërkombëtare të futbollistëve ranë dakord për këtë rregull në korrik të vitit 2025, së bashku me kërkesën për “të paktën 72 orë pushim ndërmjet ndeshjeve”.
FIFA gjithashtu sqaroi se ky pushim duhet të menaxhohet individualisht nga klubet, në varësi të kalendarit të ndeshjeve, që do të thotë se klubet mund të zgjedhin edhe të mos e zbatojnë këtë rekomandim.
Sipas “Liverpool Echo”, Liverpooli zakonisht respekton periudhën trejavore të pushimit, ndaj pritet që këta pesë futbollistë t’u bashkohen shokëve të skuadrës gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara. Tre lojtarë të Liverpoolit vazhdojnë ende garën në Kupën e Botës: Alisson Beckeri me Brazilin, Alexis Mac Allisteri me Argjentinën dhe transferimi i ri Victor Munozi me Spanjën.
Skuadra e Liverpoolit për turneun parasezonal pritet të plotësohet edhe me disa të rinj që shpresojnë të lënë përshtypje te trajneri i ri, përfshirë Will Wright, Kieran Morrison, Joshua Abe dhe Trey Nyoni. Skuadra e mundshme e Liverpoolit për parasezon: Portierë: Giorgi Mamardashvili, Freddie Woodman, Armin Pecsi, Kornel Misciur, Harvey Davies.
Mbrojtës: Joe Gomez, Jeremie Frimpong, Jeremy Jacquet, Giovanni Leoni, Milos Kerkez, Kostas Tsimikas, Mor Talla Ndiaye, Amara Nallo, Wellity Lucky, Calvin Ramsay, Luke Chambers, Owen Beck. Mesfushorë: Dominik Szoboszlai, Curtis Jones, Harvey Elliott, Trey Nyoni, Stefan Bajcetic, James McConnell.
Sulmues: Rio Ngumoha, Federico Chiesa, Will Wright, Jayden Danns, Lewis Koumas, Keyrol Figueroa, Kieran Morrison, Kaide Gordon, Joshua Abe.
