Legjenda e komentimit dhe gazetarisë sportive të Kosovës, Agim Kasapolli, ka shprehur kritika për mënyrën se si komentohen sot ndeshjet nga komentatorët shqiptarë. Sipas tij, gjatë transmetimeve vërehen gabime, të cilat ndikojnë në cilësinë e komentimit.
Kasapolli theksoi se komentimi sportiv kërkon përgatitje të madhe, njohuri të thella dhe saktësi në përcjelljen e ngjarjeve, duke shtuar se standardet duhet të jenë më të larta. “Ka profesione në të cilat fjala është mjet pune. Komentimi sportiv është njëri prej tyre.
Kur komentatori harron se protagoniste është ndeshja dhe jo ai vetë, mikrofoni pushon së qeni urë komunikimi me publikun dhe shndërrohet në pengesë për ta përjetuar futbollin. Kur komentatori bëhet pengesë për lojën Një pjesë e konsiderueshme e atyre që sot komunikojnë me publikun përmes mikrofonit nuk kanë përgatitjen e nevojshme profesionale.
Shumë prej tyre nuk i njohin as rregullat themelore të futbollit, nuk zotërojnë terminologjinë përkatëse dhe nuk e njohin metodologjinë e komentimit televiziv. Televizioni është pasqyra e nivelit kulturor dhe profesional të një shoqërie. Komentatori duhet të jetë ura ndërmjet lojës dhe publikut, jo protagonisti i transmetimit.
Institucionet që heshtin Institucionet rregullatore duhet të kujdesen për standardet profesionale të transmetimeve. Kur mungojnë kriteret, vendin e meritës e zë propaganda, ndërsa vendin e profesionalizmit improvizimi. Çfarë është komentimi profesionist? Fotografia është elementi kryesor i transmetimit televiziv. Komentatori duhet ta plotësojë figurën me informacion, jo ta zëvendësojë atë.
Nuk komentohet ajo që shikuesi e sheh qartë në ekran. Fjala duhet të shtojë vlerë, jo zhurmë. Komentimi nga studio Komentimi off-tube kërkon vetëpërmbajtje. Sa më pak informacion shtesë të ketë komentatori, aq më i kujdesshëm duhet të jetë në përdorimin e fjalës. Komentatori duhet të ndërhyjë vetëm kur i shton vlerë figurës.
Gabimet më të shpeshta Përshkrimi me vonesë i aksioneve, përdorimi i tepruar i superlativave dhe huazimeve, si edhe prirja për të folur pa ndërprerje, krijojnë mospërputhje ndërmjet figurës dhe zërit. Komentatori nuk është trajner Komentatori mund të analizojë vendimet e trajnerit, por nuk mund të pretendojë se di më shumë se ai. Modestia është shenjë profesionalizmi.
Kur zhurma zë vendin e dijes Komentatori ndikon në kulturën sportive të shoqërisë. Ai është edhe edukator publik. Kur normalizohet padija dhe improvizimi, ato shndërrohen në standard. Përfundim Komentimi sportiv është arti i të thënit të fjalës së duhur, në çastin e duhur. Futbolli nuk ka nevojë për zhurmë; ka nevojë për dije. Publiku shqiptar e meriton këtë”, ka shkruar Kasapolli.
