Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se një shtetas i Kosovës, Avdi Memçaj, ndodhet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale. Në një postim publik, Koci ka deklaruar se rasti i është raportuar nga familjarët e të dyshuarit, të cilët i kanë kërkuar që të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij.
“Që nga 20 maji në paraburgim në Serbi, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale. Avdi Memçaj është arrestuar më 20 maj në pikën kufitare në Merdarë dhe që nga ajo ditë ndodhet në paraburgim në Serbi, sipas informatave që më ka dhënë familja e tij”, ka deklaruar Koci.
Ai ka shtuar se familja e Memçajt ka kërkuar që rasti të trajtohet me kujdes, pasi sipas tyre ai jeton prej vitesh në Kroaci dhe është pronar i disa furrave të bukës. “Familja e tij më është drejtuar duke më kërkuar ta marr përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij”, ka thënë ai. Koci ka theksuar se rasti nuk është bërë publik më herët për shkak të frikës nga pasojat.
“Rastin nuk e kanë bërë publik deri më sot, sepse kanë pasë frikë se kjo mund të kishte pasoja si për Avdi Memçajn, ashtu edhe për familjen e tij”, ka deklaruar ai. Ai ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë rastin dhe do të ndërmarrë veprime ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tij, duke i bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ofrojnë mbështetje.
“Do ta shqyrtoj me seriozitet këtë rast dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet juridike që i lejon ligji për mbrojtjen e të drejtave të tij”, ka theksuar Koci. Në fund, ai ka ngritur shqetësime edhe për ndalime të tjera të qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi, përfshirë edhe kontrollin e telefonave mobilë.
