Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe intervale me vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 12°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 24 deri në 27°C. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga kuadrati verior.
Sipas kushteve agrometeorologjike, moti do të jetë përgjithësisht i favorshëm për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe kryerjen e punimeve sezonale në ara, pemishte dhe vreshta. Temperaturat e këndshme dhe mungesa e reshjeve krijojnë kushte të mira për zhvillimin normal të bimëve. Ndërkohë, korrja dhe shirja e grurit kanë nisur në shumicën e rajoneve të Kosovës.
Moti i thatë dhe temperaturat e përshtatshme pritet ta lehtësojnë zhvillimin e këtij procesi pa pengesa. Fermerëve u rekomandohet që korrjen ta organizojnë gjatë orëve me lagështi më të ulët të ajrit dhe, pas përfundimit të saj, të sigurojnë tharjen dhe ruajtjen e duhur të kokrrës për të garantuar cilësinë e prodhimit dhe për të shmangur humbjet gjatë magazinimit.
