250 vjet Amerikë – Koha që Kosova ta shndërrojë mirënjohjen në

0%

Ka kombe që ndryshojnë historinë e tyre dhe ka kombe që ndryshojnë historinë e njerëzimit. Më , në Filadelfia, etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratuan Deklaratën e Pavarësisë dhe hodhën themelet e një republike që do të bëhej një nga mbrojtëset më të mëdha të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Ajo nuk ishte vetëm lindja e një shteti të ri, por lindja e një ideali universal: se të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë, se pushteti buron nga qytetari dhe se liria nuk është dhuratë, por e drejtë që duhet mbrojtur.

Për dy shekuj e gjysmë, Amerika e ka mbajtur gjallë këtë ideal, duke kaluar sprova të mëdha, luftëra, kriza dhe sfida globale, por duke mbetur një nga shtyllat kryesore të botës demokratike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këtë vit, kur Shtetet e Bashkuara kremtojnë 250-vjetorin e Pavarësisë, kjo festë nuk u takon vetëm qytetarëve amerikanë, por edhe miliona njerëzve në mbarë botën që në momente vendimtare e gjetën tek Amerika shpresën për liri. Ndër ta është edhe populli i Kosovës.

Historia moderne e Kosovës nuk mund të shkruhet pa përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, kur errësira mbuloi Ballkanin dhe liria u kërcënua, nuk qëndruan neutrale apo në heshtje, por u rreshtuan në anën e drejtësisë.

Presidenti Bill Clinton do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë si udhëheqësi që, së bashku me aleatët e NATO-s, ndihmoi në ndalimin e spastrimit etnik dhe çlirimin e Kosovës. Por historia e Kosovës nuk përfundoi në vitin 1999; liria duhej të fitonte edhe emrin e saj – Republikë. Në atë kapitull vendimtar hyn Presidenti George W. Bush.

Më , gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, ai shqiptoi fjalët që do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë politike: “Enough is enough.” Këto nuk ishin thjesht fjalë, por shprehje e një vizioni strategjik që i dha fund paqartësisë dhe i hapi rrugën pavarësisë së Kosovës. Pak muaj më vonë, më , lindi Republika e Kosovës.

Në të njëjtën periudhë, administrata e Presidentit Bush mbështeti fuqishëm edhe rrugëtimin euroatlantik të Shqipërisë, që u kurorëzua me anëtarësimin në NATO. Prandaj, kur flasim për Presidentin George W.

Bush, nuk flasim vetëm për një president amerikan, por për një burrështetas që, në një moment vendimtar të historisë sonë, mori një qëndrim që ndikoi drejtpërdrejt në të ardhmen e një populli. Historia nuk matet vetëm me vitet që kalojnë, por me vendimet që mbeten.

Sot, në jubileun madhështor të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Kosova ka një mundësi të rrallë për të dhënë një mesazh të denjë – jo vetëm me fjalë, por me një vepër që do t’i rezistojë kohës. Prandaj propozoj që Republika e Kosovës të ndërtojë Pallatin e Pavarësisë “George W. Bush”.

Ky pallat mund të ndërtohet në një lokacion simbolik në Prishtinë, pranë institucioneve kryesore shtetërore ose në një hapësirë të dedikuar që do të shndërrohej në një kompleks të ri kulturor dhe institucional, duke krijuar një pikë referimi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Projekti duhet të realizohet përmes një konkursi ndërkombëtar arkitektonik, duke përfshirë ekspertë vendorë dhe të huaj, në mënyrë që ndërtesa të reflektojë vlerat moderne të shtetësisë, transparencës dhe demokracisë.

Ky institucion do të ketë një funksion të shumëfishtë: do të bashkojë Bibliotekën e Pavarësisë, Muzeun e Shtetformimit, Arkivin Diplomatik të Republikës së Kosovës dhe një qendër studimore kushtuar historisë së marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç kësaj, ai mund të përfshijë hapësira për konferenca ndërkombëtare, ekspozita të përhershme dhe të përkohshme, si dhe programe edukative për nxënës dhe studentë.

Aty duhet të ruhen dokumentet themelore të shtetit tonë, dëshmitë e sakrificës së popullit të Kosovës dhe kontributi i miqve tanë ndërkombëtarë, ndërsa brezat që do të vijnë duhet të mësojnë se liria nuk ishte dhuratë, por rezultat i sakrificës sonë dhe i mbështetjes së aleatëve tanë.

Përmes digjitalizimit dhe hapjes së arkivave për studiues vendas dhe ndërkombëtarë, ky pallat do të shndërrohej në një qendër të rëndësishme kërkimore në rajon.

Ndikimi i këtij projekti do të ishte i shumëanshëm: do të forconte identitetin shtetëror, do të rriste ndërgjegjësimin historik, do të tërhiqte vizitorë dhe studiues nga e gjithë bota dhe do të kontribuonte në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit.

Njëkohësisht, do të ishte një mesazh i qartë për partnerët ndërkombëtarë se Kosova di të ndërtojë institucione që ruajnë kujtesën dhe promovojnë vlerat demokratike. Ky pallat nuk do të ishte vetëm një nderim për Presidentin George W. Bush, por një monument i përhershëm i miqësisë shqiptaro-amerikane që nuk flet me bronz, por me dije, dokumente, kujtesë dhe histori.

Nëse ka një jubile që e meriton një nismë të tillë, është pikërisht ky. Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, në Filadelfia, lindi republika që do të frymëzonte botën me idealin e lirisë. Sot, në Prishtinë, Kosova ka mundësinë të dëshmojë se di të nderojë jo vetëm historinë e vet, por edhe miqtë që e ndihmuan ta shkruajë atë.

Një popull që kujton miqtë e tij nuk e dobëson dinjitetin e vet; përkundrazi, dëshmon se është një popull me kulturë shtetërore, me kujtesë historike dhe me vizion për të ardhmen. Urime, Amerikë! Urime popullit amerikan për 250 vjet liri, demokraci dhe udhëheqje në mbrojtje të idealeve që kanë frymëzuar breza të tërë.

Dhe qoftë ky jubile një frymëzim edhe për Kosovën, që mirënjohjen ndaj aleatit të saj më të madh ta shndërrojë në një trashëgimi të përhershme për brezat që do të vijnë. Gëzuar 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqësinë e saj të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Burimi: Bota Sot