Fermeri hodhi qumësht, KRU `Gjakova` ndërpret mbushjen e liqenit

0%

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka ndalur përkohësisht mbushjen e Liqenit të Radoniqit nga kanali i furnizimit që lidhet me lumin Bistrica, pas një incidenti ku një fermer publikoi video duke derdhur qumësht në ujë.

Sipas kompanisë, veprimi është ndërmarrë për arsye sigurie dhe vlerësimi teknik, pasi uji i Bistricës përfundon në kanalin që furnizon liqenin nga i cili marrin ujë mbi 200 mijë banorë. Në njoftimin e saj, KRU “Gjakova” sqaron se ndotja me qumësht mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e ujit: “Sipas ekspertëve të K.R.U. “Gjakova”

Sh.A., qumështi paraqet një ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor. Shkencërisht, ai nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit dhe konsumin e oksigjenit, shton kërkesën për klor gjatë procesit të dezinfektimit dhe mund të favorizojë formimin e trihalometaneve (THM).

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për të garantuar sigurinë e ujit të pijshëm dhe në përputhje me procedurat teknike, jemi të detyruar të ndërpresim për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali, deri në përfundimin e vlerësimeve dhe masave të nevojshme nga ekipet tona profesionale”.

Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe se do të ndiqet edhe përmes procedurave ligjore.

Në reagimin e saj, KRU “Gjakova” apelon që pakënaqësitë të mos shprehen përmes veprimeve që dëmtojnë burimet ujore: “Çdo ndotje ose dëmtim i burimeve ujore cenon interesin publik, duke pasur parasysh se nga Liqeni i Radoniqit furnizohen me ujë të pijshëm mbi 200 mijë banorë”.

Burimi: Bota Sot